Rinia e së tashmes shpresa e së ardhmes

Views: 135
Avantgardia

Ambicia është hapi i parë i suksesit,hapi i dytë është veprimi”-thënie kjo shumë e dëgjuar. Por ku vallë, do e fitojnë këtë ambicie rinia e vendit tonë? Cili do të jetë frymëzimi e inspirimi i tyre për ndryshim? A thua do të jetë fakti që diploma do të të shërbej të punosh në ndonjë restaurant, si automekanik apo si frizere? Apo ndoshta nga fakti që të jesh i varfër do të thotë të mos jesh i barabartë? E që konkurenca për vende pune nuk matet me dituri, por me numrin e të afërmve të punësuar në atë vend apo në ndonjë institucion tjetër me ndikim?

Kjo situatë e mjerë dhe kjo udhëheqje e dështuar e vendit tonë po rezulton në shtypjen e ardhmërisë, të cilëve, pasi ua kanë humbur motivin, i bëjnë të dorëzohen. Pse të mundohen, kur mundi i tyre nuk vlerësohet? Gjendja e tanishme e shtetit tonë e ndryshon edhe thënien më lart, duke treguar se hapi I parë për sukses është vetë migrimi, gjë që kohëve të fundit është rritur në një shkallë alarmante.

Është një gjendje pak a shumë si te romani ‘Krim dhe ndëshkim’ i Dostojevskit, ku njerëzit janë të ndarë në të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm, e ku drejtësia nuk duket gjetiu, ndërsa veprimet e të jashtëzakonshmëve (përfshirë këtu edhe krimin) janë të arsyeshme.

E kjo shoqëri pa motiv e pa drejtësi, i shtynë njerëzit të veprojnë pa vetëdije e të arrijnë në situatë ekstreme, ku vjedhja e vrasja bëhen pjesë e përditshmërisë, e rrjedhimisht edhe për të riun bëhen si një racion ditor. Shoqëria kriminalizohet, mjerimi kap majat, arsimimi kolapson. Shpresa bie. Por dorëzimi në këtë rast është akt qyqar e i papranueshëm. Në vend të dorëzimit, duhet shtruar një pyetje: Si do të ndryshojë e ardhmja jonë kur ndodhemi në mes të një errësire të këtillë?!

Shkruan: Donjeta Aliu (Studente e Arkitekturës)

Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *