Partitë u gjobitën me qindra-mijëra euro nga PZAP-i, por me zor po i paguajnë ato

Views: 46
Avantgardia

Të gjitha partitë politike që shkelën Kodin e Mirësjelljes gjatë fushatës elektorale në raundin e parë dhe të dytë, u dënuan me 257.350 euro në total nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. PZAP-i ka shpërndarë gjoba në vlerë prej 219.450 eurove në raundin e parë, ndërsa 37.900 euro në raundin e dytë. Sipas statistikave, LDK-ja zë vendin e parë me mbi 70 mijë euro gjobë, të cilën nuk e ka paguar ende. Pas saj radhitet PDK-ja me 26 mijë euro gjobë nga e cila ka pagur vetëm 1,350 euro. Më pas radhitet VV-ja me gjobë prej 23 mijë e 100 eurosh, të cilën e ka paguar në tërësi.

Ndërsa, gjobat për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale nuk i ka paguar asnjëra prej subjekteve politike.

Kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku, në një përgjigje elektronike tha se shuma totale e gjobave për zgjedhjet lokale të 22 tetorit është: 257.350,00 euro. Ndërsa, njoftoi se PZAP-i përmes një shkrese zyrtare i ka paralajmëruar subjektet politike se janë të obliguara që t’i paguajnë gjobat e shqiptuara brenda periudhës kohore të saktësuar me vendimet e PZAP-it.

“Në të kundërtën nëse nuk i paguajnë PZAP-i do të veprojë në përputhje me nenin 120, paragrafi 2. të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP-së), i cili përcakton se dështimi për të paguar dënimin apo për t’iu bindur një urdhërese të PZAP-it brenda periudhës kohore të saktësuar ne vendimin e PZAP-it, është një shkelje tjetër e këtij ligji që mund të sanksionohet me dënim shtesë nga PZAP-i”, tha Desku.

Partitë politike që nuk e kanë paguar as edhe një cent të gjobës janë: LDK- 70.750,00 €, AAK -14.700,00 €, ALTERNATIVA- 12.950,00 €, PAI 250,00 €, dhe KTAP – 2.200,00 €.

PDK-ja prej 26,150.00 eurosh gjobë ka paguar vetëm 1.350,00 euro, pra ka pa paguar edhe 24.800,00 euro.

mt

Ndërsa, partitë politike që i kanë paguar në tërësi gjobat janë: VV (23.100 euro) AKR (20.050,00 euro), NISMA (6.950,00 euro), KDTP (2.450,00 euro), PDAK (250,00 euro), Lëvizja për Bashkim LB (250,00 €), L. Serbe (38.550,00 €), PLE (300,00 €), GISDP. O.Ivanovic (550,00 €).

Për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit 2017, të mbajtura më 19.11.2017, PZAP-i ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike në shumë prej 37.900,00 eurosh, të cilat deri më tani nuk i ka paguar asnjëra prej subjekteve politike.

“Gjobat të cilat u janë bërë subjekteve politike janë: AAK (2.500,00) Alternativa (2.500,00), LDK (7.800,00), LVV (16.300,00) dhe PDK (8.800,00 euro)”, thotë Desku.

Zgjedhjet lokale u mbajtën më 22 tetor, ndërsa më 19 nëntor u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për komunat që shkuan në balotazh.

 

IndeksKosova