Përmbledhje e aktgjykimeve 2017: Dënime minimale dhe qesharake për të akuzuarit e aksidenteve në trafik

Views: 9
Avantgardia

 Numri i madh i aksidenteve, përvitshëm ka krijuar një shqetësim te qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në fund të vitit 2017, Policia e Kosovës kishte publikuar statistikat vjetore, ku prej janarit deri në nëntor të atij viti, në gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 16 mijë e 122 aksidente.

Por, shqetësuese ka qenë edhe numri i këtyre aksidenteve që kanë përfunduar me fatalitet.
Sipas statistikave policore, si pasojë e aksidenteve në komunikacion, 119 persona kanë humbur jetën, gjatë periudhës së njëjtë kohore, 19 më shumë se sa në vitin paraprak.
Ndryshe kësaj, brengë e vazhdueshme e shoqërisë kosovare si dhe e sistemit të drejtësisë në vend, mbetet po ashtu edhe numri i madh i lëndëve nëpër gjykata.
Personat të cilët akuzohen se kanë kryer vepra penale të dënueshme deri në 10 vite, gjykohen nga një gjykatës i vetëm në Departamentin e Përgjithshëm.
“Betimi për Drejtësi”, ka raportuar për disa nga gjykimet që janë zhvilluar në departamentet e përgjithshme të gjykatave, ku është paraparë edhe gjykimi i veprave penale që parashihet në kapitullin e veprave penale kundër sigurisë së trafikut.
Gjatë vitit 2017, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar për disa nga aktgjykimet që janë marr nga gjykatat për këto vepra penale.
Më poshtë do të paraqesim disa nga rastet që “Betimi për Drejtësi” ka raportuar për shpalljet e aktgjykimeve nga gjykatat për personat që kanë kryer veprat penale kundër sigurisë së trafikut.
Nga këto raste, kryesisht janë shqiptuar dënime me burgim me kusht apo me gjobë, e shumë rrallë me burgim efektiv.
Dënohet me burgim efektiv i akuzuari që me kamion goditi dy këmbësor, ku njëri humbi jetën
Gjykata Themelore në Ferizaj në janar të vitit 2017, kishte shpallur fajtor Kadrush Stubllën për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”, duke e dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv.
Stublla, kishte pranuar fajësinë duke shtuar se aksidenti ishte bërë pa dashje, respektivisht nga pakujdesia.
Sipas aktakuzës i pandehuri Kadrush Stublla akuzohej se më 3 korrik 2010, në fshatin Prelez, në drejtimin Ferizaj – Prishtinë, ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve në atë mënyrë që duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës – mjegullës së dendur, dhe me shpejtësi më të madhe se ajo e lejuar në atë pjesë, me kamionetën transportuese ka goditur këmbësorët Ekrem Gashi dhe Hysen Hyseni. Si pasojë e këtij aksidenti në vendin e ngjarjes ka vdekur Ekrem Gashi, ndërsa Hysen Hyseni ka vdekur të nesërmen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Po ashtu në këtë aksident lëndime të lehta trupore ka pësuar i dëmtuari Ramadan Sinani.
Dënohen dy të akuzuarit për aksident trafiku nga i cili kishte humbur jetën këmbësori
Në maj të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë dy të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik me pasoja fatale.
Jetmir Avdullahu ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim efektiv, kurse Idriz Krasniqi, ishte dënuar më 1 vit burgim me kusht.
Ndaj Krasniqit, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohej nëse brenda dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale.
Të dënuarit ishin obliguar që të paguajnë paushallin e gjykatës, derisa pala e dëmtuar ishte udhëzuar në kontest civil.
Sipas Prokurorisë më 16 korrik 2016, në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë, Jetmir Avdullahu, duke e drejtuar automjetin e tij, kishte shkelur Ligjin mbi Trafikun Publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve në atë mënyrë që nga pakujdesia, ka bërë tejkalimin e shpejtësisë.
Avdullahu, për t’iu shmangur goditjes së automjetit të cilin e drejtonte Idriz Krasniqi, ka bërë kthim gjysmë rrethor ku me pas ka filluar ndërrimin e përnjëhershëm nga ana e majtë në të djathtë, duke rrezikuar dhe penguar lëvizjen e automjeteve tjera. Me këtë rast, Jetmir Avdullahu, për t’iu shmangur aksidentit, lëviz në shiritin e djathtë dhe me pjesën e përparme të automjetit godet këmbësorin, Muhamet Vitia, nga mbrapa, i cili ishte në drejtim të tij, ku i njëjti pas lëndimeve të rënda trupore, ndërron jetë.
Dënohet me burgim me kusht për aksidentin ku kishte humbur jetën një këmbësor
Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të vitit 2017,e ka shpallur fajtor Ajet Ademaj, duke e dënuar me 1 vit burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy viteve.
Ajet Ademaj ishte deklaruar fajtor për aksidentin e shkaktuar, në të cilin kishte humbur jetën Sllavisha Gjirgjeviq.
Fillimisht Ajet Ademaj, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për të njëjtën vepër penale, ishte dënuar me pesë muaj burgim, dënim i cili ishte zëvendësuar në dënim me gjobë prej 3,000 euro.
Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim, pasi kjo vepër penale me pasoja fatale është e dënueshme prej një deri në tetë vite burgim.
Ajet Ademaj akuzohej se më 2 shtator 2007, në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj, derisa e drejtonte makinën e tij, e kishte tejkaluar shpejtësinë e lëvizjes dhe nuk i kishte kushtuar kujdes këmbësorit i cili ishte duke e kaluar rrugën. Ademaj e kishte goditur këmbësorin Sllavisha Gjirgjeviq, i cili nga lëndimet e marra, më pas kishte vdekur.
Një vjet e gjashtë muaj burg për të akuzuarin që goditi për vdekje çiklistin
Gjykata Themelore në Ferizaj, në prill të vitit 2017, e ka shpallur fajtor Ragip Bajramin i akuzuar për veprat penale “rrezikim i trafikut publik” dhe “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në aksident të trafikut publik”, duke dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim.
Po ashtu, gjykata me aktgjykim, të akuzuarit ia ka ndaluar drejtimin e automjetit në kohëzgjatje prej tri vitesh.
Sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Ragip Bajrami akuzohej se gjatë drejtimit të automjetit të tij, në rrugën lokale në fshatin Slivovë – Ferizaj, nga pakujdesia ka goditur të ndjerin Muharrem Qali i cili ishte duke drejtuar biçikletën e tij, me ç’rast si pasojë e goditjes Muharrem Qali ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Dënohet me burgim me kusht i akuzuari që pas rrokullisjes me veturën e tij kishte vdekur pasagjerja
Gjykata Themelore në Ferizaj në korrik të vitit 2017, e ka shpallur fajtor Hamdi Gojnovcin, duke e dënuar me një vit burgim me kusht për aksident trafiku, në të cilin kishte humbur jetën, Hyra Berisha.
Dënimi ndaj tij, nuk do të ekzekutohet në qoftë se ai nuk kryen vepër penale brenda dy viteve.
Hamdi Gojnovci, për veprën penale në fjalë e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar, mirëpo gjykata me aktvendim e kishte refuzuar atë.
Sipas aktakuzës, më 11 qershor 2015, në rrugën magjistrale Kaçanik – Ferizaj, i pandehuri Hamdi Gojnovci, duke drejtuar veturën e tij, nga pakujdesia dhe duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, kishte humbur kontrollin e timonit, ku fillimisht e kishte goditur një grumbull të dheut, e më pastaj ishte rrotulluar duke rënë në hendek.
Me këtë rast, lëndime trupore kishin pësuar të dëmtuarat Lumnije Gojnovci dhe Hyra Berisha, ku kjo e fundit nga lëndimet e marra në aksident, të nesërmen kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Dënohet me burg efektiv i akuzuari që goditi çiklistin duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore
Po ashtu në muajin korrik të vitit 2017, Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, Remzi Nuhën i akuzuar për rrezikim të trafikut publik.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzonte të pandehurin Remzi Nuha, se më 25 gusht 2015, nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, ka rrezikur trafikun publik dhe jetën e njerëzve.
Me këtë veprim, në ditën kritike, i pandehuri kishte goditur çiklistin Besnik Sejdiu, i cili nga kjo goditje kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Një vit burgim me kusht për të akuzuarin se goditi qytetarin që po priste autobusin
Gjykata Themelore në Prishtinë në shkurt të vitit të kaluar, kishte shpallur fajtor Dërgut Gallopenin për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, të cilin e kish dënuar me një vit burgim me kusht.

Ky dënim nuk do të ekzekutohej, nëse Gallopeni nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy viteve.

Po ashtu, ai ishte obliguar që t’i paguajë edhe shpenzimet e gjykatës dhe ekspertizat e ekspertëve të komunikacionit.

Dërgut Gallopeni, akuzohej se më 7 nëntor 2008, duke e vozitur veturën në rrugën magjistrale Fushë Kosovë-Prishtinë, nga pakujdesia, kishte rrezikuar trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë.

Sipas aktakuzës, Gallopeni, nuk e kishte mbajtur distancën e duhur dhe e kishte goditur automjetin e parkuar, pronë e të dëmtuarit Ernest Haliti. Pas kësaj e kishte humbur kontrollin mbi veturën dhe e kishte goditur këmbësorin Imer Mexhuani, i cili ishte i ndalur në pritje të autobusit, jashtë rrugës. Atij i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore, thyerje në këmbën e djathtë, gërvishtje në zonën e bërrylit dhe gjurit të djathtë, të shoqëruara me dëmtime të përkohshme të shëndetit.

Burgim me kusht për të akuzuarin që shkaktoi aksident në trafik

Në muajin prill të vitit të kaluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Ilmi Shillova, i cili kishte shkaktuar aksident trafiku dhe iu kishte shkaktuar lëndime trupore katër personave.

Ai ishte dënuar me një vit burgim me kusht, por ky dënim ndaj tij, nuk do të ekzekutohej nëse ai brenda dy viteve nuk kryen ndonjë vepër penale.

Ilmi Shillova ishte akuzuar se më 5 tetor 2010, në magjistralen Fushë Kosovë- Prishtinë, duke e drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia, kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve. Shillova duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe kushteve me të reshura atmosferike, kishte goditur automjetin e të dëmtuarit Agim Maqaj. Ndërsa, Maqaj nga goditjet e marra kishte humbur drejtimin e lëvizjes dhe e kishte goditur veturën e të dëmtuarit Murat Berisha, ku lëndime të rënda trupore kishte pësuar e dëmtuara Albina Maqaj dhe lëndime të lehta trupore kishin pësuar Agm Maqaj, Ardita Maqaj dhe Shqipe Maqaj.

Dënohet i akuzuari që duke drejtuar autobusin kishte goditur një këmbësor
Gjykata Themelore në Prishtinë në prill të vitit të kaluar e kishte dënuar me 9 muaj me burgim me kusht për rrezikim të trafikut, Arben Terpeza.

Arben Terpeza, akuzohej se me 6 maj 2015, ka kryer me veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, sipas nenit 378 paragrafit 8, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, kryesi i së cilës dënohet me burgim prej gjashtë 6 muaj deri në pesë 5 vjet.
Sipas prokurorisë, Terpeza veprën e kishte kryer në atë mënyrë që duke drejtuar autobusin e markës “MAN”, nga rrethi i flamurit në drejtim të Mitrovicës, nga pakujdesia, nuk kishte respektuar këmbësorët të cilët po lëviznin në anën e djathtë. Në këtë rast me pjesën e përparme të autobusit, e ka goditur në dorën e majtë, këmbësorin Visar Thaqin, me ç ‘rast të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Dënohet me gjobë i akuzuari për rrezikim të trafikut publik

Në prill të vitit të kaluar, Labinot Bala, i akuzuar për rrezikim të trafikut publik, nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishte dënuar me 200 euro gjobë, si dhe ishte detyruar të paguajë edhe 60 euro për ekspertizën mjekoligjore të komunikacionit.
Sipas prokurorisë, Bala duke drejtuar automjetin “Transporter VW 70x0D”, në rrugën magjistrale Prishtinë-Fushë Kosovë, nga pakujdesia, ka shkaktuar aksident komunikacioni.

Sipas aktakuzës, këtë e kishte bërë duke lëvizur më shpejtësi të pa përshtatur me kushtet e krijuar në rrugë, me ç’rast nuk ka mbajtur distancën e duhur të sigurisë në mes të automjetit të tij dhe automjetit para tij, “Daimler Benz”, të cilën e drejtonte Mentor Maqedonci. Pas kësaj, automjeti i të dëmtuarit, me pjesën e përparme e godet në pjesën mbrapa automjetin “Shkoda Octavia”, të cilën e drejtonte i dëmtuari Liridon Metushi. Në këto rrethana, përveç dëmeve materiale, lëndime të lehta trupore me pengesa të përkohshme për shëndetin kishte pësuar pasagjerja Xhejlane Aliu-Ademaj.
Dënohet me kusht i akuzuari për aksident trafiku, nga i cili ishte lënduar një person
Në muajin maj nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishte shpallur fajtor Reshat Mati, i akuzuar për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”, duke u dënuar me 6 muaj burgim me kusht.

Sipas aktakuzës, Reshat Mati më 30 janar 2014, duke e vozitur veturën në rrugën “Dëshmoret e Kombit” në Prishtinë, duke lëvizur automjetin, nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njeriut. I njëjti nuk kishte pasur kujdes me rastin e ndërrimit të shiritit të komunikacionit, dhe me një veprim të tillë kishte rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. Këtë e kishte bërë ashtu që më pjesën ballore të anës së djathtë e godet në pjesën e pasme automjetin të cilin e drejtonte tani i dëmtuari Shaban Maliqi. Pos dëmit material, Maliqit i kishte shkaktuar edhe lëndime te lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Tre muaj burg me kusht për të akuzuarin që goditi me veturë murin mbrojtësi të një fabrike

Gjykata Themelore në Ferizaj, në shkurt të vitit 2017, e kishte dënuar me tre muaj burgim me kusht Hekuran Hysenin, i akuzuar për “rrezikim të trafikut publik”.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzonte të pandehurin Hekuran Hyseni, se duke drejtuar veturën e tij, nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve. Hyseni pasi kishte humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, kishte goditur murin mbrojtës të fabrikës “Miros”, ku pos dëmeve materiale, kishte pësuar lëndime të lehta trupore i dëmtuari Mirlind Berisha.

I akuzuari që goditi shtyllën e betonit u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht
Në gusht të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor Albert Jakupin, i cili akuzohej për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim.

Sipas gjykatës dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i akuzuari nuk do të kryejë vepër të re penale brenda dy viteve.

Albert Jakupi, me akuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, akuzohej se më 30 nëntor 2014, në magjistralen Ferizaj – Kaçanik, përkatësisht afër rreth rrotullimit që lidhet në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, duke drejtuar veturën e tij, nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin e drejtimit të automjetit dhe ka goditur një shtyllë betoni. Me këtë rast, pos dëmeve materiale, lëndime të lehta trupore kishin pësuar të dëmtuarit Elmir Jakupi dhe Ylber Zeqiri.

Burgim me kusht pasi me veturë goditi murin e një lokali në fshatin Gllaviqicë të Pejës
Gjykata Themelore në Pejë, në qershor 2017, e ka shpallur fajtor të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Isa Avdijaj, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht.
Dënimi me burgim me kusht, nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepra të tjera penale, në periudhën kohore prej një viti.

Avdijaj, akuzohej se me 8 gusht 2016, në magjistralen Prishtinë – Pejë, saktësisht në fshatin Gllaviqicë, duke e drejtuar automjetin e tij dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë nga krahu i djathtë kalon në atë të majtë, me ç’rast ku godet murin e një lokali, ku për pasojë, përveç dëmeve materiale të konsiderueshme, i shkakton edhe lëndime të lehta trupore, të dëmtuarës, Sahadete Meraku.

Burgim me kusht për të akuzuarin që goditi dy vetura
Në maj të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor Halil Thaqin, duke e dënuar me tre muaj burgim me kusht, për rrezikim të trafikut publik.
Thaqi, akuzohej se me 10 dhjetor 2015, rreth orës 18:20 minuta, në magjistralen Prizren-Gjakovë, saktësisht në fshatin Landovic, duke e drejtuar automjetin e tij, duke mos respektuar rregullat e trafikut publik, hyn në tejkalim në vijë të plotë, dhe e godet veturën e tipit “Opel Corsa”, të cilën e drejtonte, Selajdin Krsniqi, dhe më pas e godet edhe veturën e tipit “Mercedes Benz”, të cilën e drejtonte Gzim Sadiku, ku si pasojë e cilës, përveç dëmeve materiale të konsiderueshme, i shkakton edhe lëndime të lehta trupore, të dëmtuarit, Selajdin Krasniqi.

Pranon fajësinë që shkaktoi aksident, dënohet me burgim me kusht
Gjykata Themelore në Prizren , në maj të vitit 2017, e kishte shpallur fajtor Patrik Berishën, për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, pasi që i njëjti e kishte pranuar fajësinë duke e dënuar me 6 muaj burgim me kusht.
Patrik Berisha, akuzohej se me 29 maj 2014, në Prizren, në rrugën e “Ulqinit”, duke e vozitur veturën e tij, kishte bërë ngasje të pakujdesshme dhe të pa kontrolluar, duke mos e përshtatur shpejtësinë e automjetit, me ç’rast kishte humbur kontrollin. Dhe, kur arrin në vendin kritik, me pjesën ballore, të djathtë të automjetit e godet të dëmtuarin Osman Rexhepi, i cili ishte duke lëvizur në drejtimin e kundërt. Me këtë rast lëndime të lehta trupore pëson Osman Rexhepi, ndërsa lëndime të rënda trupore pëson bashkudhëtarja në automjetin e tij, e dëmtuara, Fiza Rexhepi.

 

Dënohet me kusht i akuzuari që nuk dha përparësi kalimi duke shkaktuar aksident
Gjykata Themelore në Prizren në maj 2017, e ka shpallur fajtor të akuzuarin Atif Berisha, për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, duke e dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 2 muajsh. Ky dënim me burg nuk do të ekzekutohet nëse Berisha nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës një vjeçare.
Atif Berisha akuzohej se me 1 qershor 2014, rreth orës 13:30 minuta në rrugën “Mehmet Hasi”, duke e vozitur veturën e tij, të markës “Audi”, duke mos e verifikuar komunikacionin në atë pjesë të rrugës, dhe duke mos i dhënë përparësi kalimi në udhëkryqe, vije deri te aksidenti ku lëndime të lehta trupore pëson Alma Krasniqi.
Dënohet me gjobë i akuzuari për aksident trafiku, që humbi kontrollin me veturën e tij
Gjykata Themelore në Pejë, në muajin qershor 2017, e ka dënuar me 300 euro gjobë, të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Patrik Berisha.

Berisha akuzohej se me 10 shtator 2016, rreth orës 17:30, në rrugën rajonale Pejë – Beran, nga pakujdesia ka shkelur Ligjin mbi Sigurinë në Komunikacionin Rrugor. I pandehuri gjatë qarkullimit me automjetin e tij, duke mos ju përshtatur kushteve të rrugës-shpejtësisë, humb kontrollin ndaj automjetit dhe nga krahu i djathtë kalon në krahun e majtë, me ç’rast e godet automjetin të cilin e drejtonte i dëmtuari, Demë Gashi. Si pasojë e këtij aksidenti përveç dëmeve materiale, lëndime të lehta trupore pësojnë edhe të dëmtuarit, Endrit Myftari, Altin Berisha dhe Demë Gashi.
Dënohet me 500 euro gjobë i akuzuari që me veturën e tij e lëndoi çiklistin në aksident trafiku

Gjykata Themelore në Ferizaj, në muajin korrik të vitit2017,e ka shpallur fajtor të akuzuarin Gorkemselim Uluag, duke e dënuar me gjobë në shumë prej 500 euro për rrezikim të trafikut publik.
Ndryshe, sipas aktit akuzues i pandehuri Gorkemselim Uluag, akuzohej se më 22 gusht 2016, në rrugën Gjilan – Ferizaj, përkatësisht në fshatin Bibaj, duke drejtuar veturën e tij “VË Golf”, nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.

Me këtë veprim, në ditën kritike, i pandehuri pasi që paraprakisht një veturë para tij kishte filluar tejkalimin dhe duke mos pasur mundësi ta shoh biçikletën, të cilën e drejtonte tani i dëmtuari Adem Çerkini, i pandehuri e godet me pjesën e përparme të dëmtuarin, me ç’rast ky i fundit, pëson lëndime të lehta trupore.
Dënohet me gjashtë muaj burgim me kusht i akuzuari që kishte ndërmarr veprim të pa sigurt

Gjykata Themelore në Ferizaj në gusht të vitit 2017, e ka shpallur fajtor të akuzuarit Sabit Zeapër veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”, Sabit Zeka.
Gjykata Zekën e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i njëjti nuk do të kryejë vepër të re penale brenda një viti.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i pandehuri Sabit Zeka, më 14 dhjetor 2016, në rrugën Ferizaj – Shtime, duke drejtuar veturën e tij “Audi”, ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.
Veprën penale, i pandehuri akuzohej se e ka kryer në atë mënyrë që kur kishte arritur në dalje të rrugës me dy shirita, ka ndërmarr një veprim të pasigurt në komunikacion, me ç’rast ka kaluar nga shiriti i djathtë në të majtë, në mënyrë që të bëjë gjysmë rrotullim, dhe në atë moment është goditur në pjesën e pasme të veturës, nga një veturë e tipit “Golf”, të cilën kishte qenë duke e drejtuar i dëmtuari, Nexhat Osmani.
Një vit burgim me kusht të akuzuarit që shkaktoi aksident duke e lënduar një person që largonte gurët nga rruga

Gjykata Themelore në Ferizaj, në muajin shtator të vitit 2017, të akuzuarin Jakup Bytyqi e ka shpallur fajtor për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, duke e dënuar me një vit burgim me kusht.

Sipas gjykatës dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet, në qoftë se Bytyqi nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës kohore prej dy vjetësh.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i pandehuri Bytyqi, akuzohej se më 30 mars 2012, duke drejtuar automjetin për transport të mallrave, në magjistralen Kaçanik – Hani i Elezit, nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.
I pandehuri, sipas akuzës, në ditën kritike duke lëvizur në rrugë me kthesa të njëpasnjëshme, e kishte goditur me pjesën e përparme të automjetit këmbësorin Nestor Rexhepi, i cili kishte qenë duke larguar disa gurë që kishin rënë në atë rrugë.
Me këtë rast, i dëmtuari Rexhepi kishte pësuar lëndime të rënda trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Dënohet me katër muaj burgim me kusht i akuzuari që nuk mundi të ndalej dhe shkaktoi aksident trafiku
Po në shtator të 2017 Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Avdi Bucaliun, i për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, duke e dënuar me katër muaj burgim me kusht.
Sipas gjykatës dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet, në qoftë se i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës kohore prej një viti.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i pandehuri Bucaliu, akuzohej se më 19 shkurt 2017, duke drejtuar automjetin e markës “Smart”, në fshatin e Vjetër, Komuna e Ferizajt, nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.
I pandehuri, sipas akuzës, në ditën kritike duke filluar shkyçjen nga rruga magjistrale dhe pa treguar kujdes për t’u dhënë përparësi mjeteve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, ku në pamundësi për t’u ndalur, ka goditur veturën “Peugeot 307”, të cilën e drejtonte i dëmtuari Kadri Rogaqi.

Me këtë rast, i dëmtuari Rogaqi kishte pësuar lëndime trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Dënohet me 300 euro gjobë i akuzuari që humbi kontrollin e automjetit në rrugën me akull
Gjykata Themelore në Ferizaj në muajin tetor ka shpallur aktgjykimin me të cilin të akuzuarin Ismajl Berisha, e shpall fajtor për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.
Për veprën penale në fjalë, të njëjtit iu kishte shqiptua dënimi me gjobë në shumë prej 300 euro.

Ndryshe, sipas aktit akuzues të ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Ismajl Berisha akuzohej se më 19 janar 2016, duke drejtuar veturën e markës “VË Golf”, nga pakujdesia dhe në kundërshtim me rregullat e komunikacionit ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.

Sipas aktakuzës, i njëjti duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës me akull e borë, kishte humbur kontrollin mbi timon dhe ka kaluar në anën e kundërt të shiritit qarkullues, me ç’rast ka goditur veturën e markës “Audi”, të cilën e drejtonte i dëmtuari Naser Hajdini.
Me këtë rast, pos dëmeve materiale ky i fundit kishte pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Dënohet me 250 euro gjobë i akuzuari për aksident trafiku

Gjykata Themelore në Pejë në nëntorin e vitit 2017, e ka shpallur fajtor të akuzuarin Albert Lufaj për rrezikim të trafikut publik duke e dënuar me 250 euro gjobë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Albert Lufaj akuzohej se më 26 maj 2017, rreth orës 07:50, në rrugën “Konferenca e Bujanit”, në Pejë, nga pakujdesia shkel Ligjin mbi Trafikun Publik, që ka rezultuar me lëndime të lehta trupore të të dëmtuarve Shpresa dhe Olti Gashi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri duke u kyçur nga rruga dytësore, në rrugë kryesore dhe duke mos respektuar përparësinë e kalimit, shenjën STOP, fillon menjëherë për tu kyçur në të majtë dhe duke hyrë në rrugë ia ndërprenë rrugën të dëmtuarës Shpresa Gashi, e cila me qëllim të shmangies së aksidentit lëviz në të majtë dhe si pasojë shkaktohen dëme materiale dhe lëndime të lehta trupore.

Dënohet me gjobë i akuzuari që goditi këmbësorin
Po ashtu në mars të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor Sejdi Krasniqin, për rrezikim të trafikut publik duke e dënuar me 120 euro gjobë.
Sipas aktakuzës, Sejdi Krasniqi me 24 nëntor 2014, në rrugën “Mark Sopi” në Prishtinë, duke drejtuar veturën e tij, nga pakujdesia ka rrezikuar jetën e njerëzve.
Sipas aktakuzës, këtë e ka bërë në atë mënyrë që në vendkalim për këmbësor nuk ka ushtruar kujdes të veçantë. I njëjti duke lëvizur mbrapa nuk e ka vërejtur këmbësorin, me ç’rast e ka goditur të dëmtuarin Berat Bytyqi, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Shpallet fajtor i akuzuari për aksident trafiku
Në mars të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj Halim Hajdinit, i akuzuar për “rrezikim trafikut publik”, duke e dënuar me 400 euro gjobë.

Halim Hajdini akuzohej se me 9 nëntor 2014, nga drejtimi i Fushë Kosovës në Prishtinë, duke drejtuar veturën nga pakujdesia nuk kishte respektuar dritën e kuqe në semafor. Sipas aktakuzës, Hajdini godet veturën të cilën e drejtonte i dëmtuari Mentor Dreshaj, i cili bashke me Agron Ademin kishin pësuar lëndime të lehta trupore.
Aktgjykim dënues për të akuzuarin, vetura e të cilit ishte rrokullisur pas aksidentit
Në po të njëjtin muaj nga Gjykata themelore në Prishtinë është shpallur fajtor për rrezikim të trafikut publik edhe Astrit Peci, duke u dënuar me 300 euro gjobë.
Astrit Peci akuzohej se me 28 shkurt 2013, duke e vozitur veturën e tij, në rrugën magjistrale Prishtinë- Mitrovicë, kishte bërë ngasje të pakujdesshme dhe të pa kontrolluar. Peci nuk e kishte përshtatur shpejtësinë e automjetit dhe kishte humbur kontrollin. Njëherë fillon të bartet në të djathë të drejtimit të lëvizjes, e më pas del nga rruga dhe rrokulliset jashtë rrugës. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kishte pësuar ai bashkë me pasagjerët Shukri Preteni dhe Sevdaim Emini.

Dënohet i akuzuari për rrezikim të trafikut publik
Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të vitit të kaluar, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Sharr Morina.
Ai ishte dënuar me 55 euro paushall si dhe i kishte shqiptuar vërejtje gjyqësore.
Sipas aktit akuzues, Sharr Morina me 28 maj 2013, në rrugën “Ekrem Qabej”, në afërsi të Fakultetit Filozofik nga pakujdesia, duke drejtuar automjetin e tij, e kishte goditur automjetin e Blerim dhe Marigona Mula, të cilëve u kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe dëm material.

Gjykata shqipton vërejtje gjyqësore për të akuzuarin që gjatë tejkalimit shkaktoi aksident
Gjykata Themelore në Pejë, në muajin shkurt të vitit 2017, i ka shqiptuar vërejtje gjyqësore Leotrim Krasniqit, për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”.
Ai akuzohej se më 26 nëntor 2015 në rrugën Pejë-Deçan nga pakujdesia me automjetin e tij, kishte tejkaluar nga ana e djathtë në anën e majtë duke goditur automjetin e të dëmtuarit Armend Bajraj. Si pasojë e aksidentit pos dëmeve materiale, kanë marrë lëndime të lehta trupore Armend Bajraj dhe pasagjerja Fetije Ibraj dhe vetë i pandehuri.
Gjykata shqipton vërejtje gjyqësore për të akuzuarin që rrezikoi trafikun publik
Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit të kaluar, i ka shqiptuar vërejtje gjyqësore, të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Gjeladin Mala.

Paraprakisht, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë dhe kishte shprehur keqardhje për aksidentin e shkaktuar.
Sipas aktakuzës, Gjeladin Mala, akuzohej se me datë 10 nëntor 2015, në rrugën “Nënë Tereza”, në Pejë, nga pakujdesia ka shkelur Ligjin mbi Sigurinë e Komunikacionit Rrugor të Kosovës, që ka rezultuar me lëndime të lehta trupore për të dëmtuarit Kamer Dreshaj, Afërdita Dreshaj dhe Rinora Mustafaj.
Sipas aktit të akuzës, në ditën kritike i pandehuri duke drejtuar automjetin e tij, gjatë kyçjes në rrugën kryesore nuk ka qenë i kujdesshëm, pasi që ka tentuar t’ia marr përparësinë e lëvizjes automjetit tjetër që e drejtonte i dëmtuari Dreshaj, duke e goditur automjetin e të dëmtuarit.
Si pasojë e kësaj, Mala akuzohej se u ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarve në fjalë dhe njëkohësisht ka shkaktuar edhe dëme material në të dyja automjetet.
Vërejtje gjyqësore për të akuzuarin që nuk mbajti distancën e duhur dhe shkaktoi aksident

E vërejtje gjyqësore, kjo gjykatë, në maj të vitit 2017, i kishte shqiptuar edhe Ilir Ferizit, i akuzuar për rrezikim të trafikut publik, pasi i njëjti kishte pranuar fajësinë.
Sipas aktakuzës, Ilir Ferizi, më 5 shtator 2016, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, nga pakujdesia shkel Ligjin për komunikacionin rrugor, dhe i shkakton lëndime trupore këtu të dëmtuarit Valon Dervishaj. I njëjti derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tij, duke mos mbajtur distancën e mjaftueshme dhe duke mos i kushtuar rëndësi automjetit tjetër të cilin e drejtonte I dëmtuari Dervishaj që ishte para tij, e godet prapa automjetin e të njëjtit , me çka përpos dëmeve materialë i shkakton edhe lëndime të lehta trupore.
Përfundimi i gjykimeve si pasojë e vjetërsimit të lëndëve
Në maj të vitit të kaluar për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit apo vjetërsimit të lëndës, kishte përfunduar gjykimi ndaj Imer Selmanit, i cili po akuzohej për rrezikim të trafikut publik.

Gjykatësja Violeta Namani, kishte konstatuar se kishin kaluar 4 vite që kur kishte ndodhur rasti për të cilin akuzohej Selmani.
Si pasojë e kësaj kishte ardhur deri te parashkrimi absolut i veprës penale.
Sipas prokurorisë më 21 prill 2013, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ashtu që derisa Selmani ishte duke e drejtuar automjetin e tipit “Ford Cargo”, nga pakujdesia kishte rrezikuar trafikun publik.

Sipas aktakuzës, këtë e kishte bërë duke mos respektuar rrugën edhe automjetin për përparësi kalimi, ku pasi që del në krahun e djathtë të drejtimit të kahes së kundërt, e godet me pjesën ballore automjetin e të dëmtuarit Lulzim Çollaku, i cili ishte duke vozitur në krahun e vet të lëvizjes në rrugë me përparësi kalimi.
Si pasojë e kësaj, sipas aktakuzës, të dëmtuarit i shkaktohen dëme materiale në automjet, me ç’rast kishin pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin edhe personat Fehmi Makolli, Esat Gashi, Blerim Gashi dhe Rrahim Bucolli.
Këto kanë qenë disa nga aktgjykimet që janë shpallur gjatë vitit 2017, e të cilat janë monitoruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, raste të shumta të të akuzuarve për këtë vepër penale kanë qenë pjesë e gjykimeve të vitit të kaluar e që ende nuk kanë përfunduar, e që pritet të vazhdojnë edhe në vitin 2018.

IndeksKosova

Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *