Bau Market edhe në Ferizaj, punëson 70 persona

Views: 27
Avantgardia

Bau Market ka zgjeruar rrjetin e pikave të shitjes edhe në Ferizaj, ku sonte është bërë hapja në këtë qytet.

Tash e tutje qytetarët e këtij rajoni do të kenë mundësi të pajisen me materiale në industrinë e ndërtimit dhe meremetimit, vegla pune e shumë gjëra të tjera.

Kjo që është pika e katërt e rrjetit të Bau Market ka punësuar gjithsej 70 punëtorë, por që synon që këtë numër ta rris edhe më shumë.

 

Në përurimin e Bau Market ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, i cili ka thënë se kryeqytetit të zhvillimit ekonomik po i shtohet edhe një biznes.

Ai tha se edhe një biznes më shumë në Ferizaj do të ofrojë më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim ekonomik, ndërkohë ka premtuar se si komunë do të vazhdojnë të mbështesin bizneset.

 “Njëra ndër veprimet e mija të premtuara dhe të zotuara para qytetarëve të Ferizajt ka qenë se unë do të mbështes bizneset dhe lehtësoj bizneset, duke përfshi edhe ato të amvisërisë edhe me uljen e shkallës, respektivisht të tatimit në pronë. Tashmë dua të uroj bizneset se tashme vendimi është marrë në seancën e fundit të Kuvendit të komunës dhe nga 1 janari i vitit 2019 edhe komuniteti i bizneseve po edhe qytetarët me xhepin e tyre do të kursejnë 10 përqind të lirimit nga tatimi në pronë”, tha ai.

Related image

Kreu i Ferizajt ka thënë se detyrë e tij është të flas me gjuhën e bizneseve dhe tashmë e ka bërë, por ai ka premtuar se do të vazhdojë ta bëjë.

Në hapje të BauMarket ka marrë pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili ka thënë se e ka të vështirë të flas para veprave të mëdha, ku rrjetin e BauMarket e ka quajtur vepër të madhe.

Ai ka thënë se një qendër si ajo e BauMarket është një qendër që për qytetarët ofron brendet më të mira.

“Njëjtë siç Ferizaj konsiderohet një prej qendrave më të rëndësishme të biznesit, Oda Ekonomike e Kosovës është shtëpia e madhe e biznesit. Shtëpia e madhe e biznesit që i ka të hapura dyert për të gjithë. Unë po shoh edhe afaristë që mund ta kenë ndonjë ide apo ndonjë projeksion për zhvillimin e vet, ne iu ftojmë ti bashkëngjitën OEK-ut, të komunikoni me Odën dhe të na përkraheni në shtyrjen e agjendës së sektorit privat. Qysh e tha kryetari i komunës një lajm të mirë për tatimin në pronë në nivel lokal, unë sot po ndaj një lajm të mirë për miratimin e ligjit të TVSh-së që sot ka kaluar në Qeveri me të gjitha rekomandimet e OEK-ut”, tha Rukiqi.

Kurse, pronari dhe themeluesi i Al Trade Holding Bajram Gashani, është shprehur i lumtur që qytetarëve të Kosovës dhe të Ferizajt po u ofrojnë shërbime të mira.

Gashani ka deklaruar se para disa ditëve kanë festuar 9 vjetorin e fillimit të punës së Bau Market dhe pikërisht në këtë përvjetor vije edhe një pikë e re.

E për këtë sukses ai tha se ka një arsye.

 “Kjo përveç që tregon rritjen dhe përparimin tek ne si kompani, para së gjithash do të jetë edhe një mundësi e mirë për qytetarët e Ferizajt dhe më gjerë. Që përmes produkteve dhe shërbimeve që Bau Market ofron të përmirësojë  dhe lehtësojë jetën e tyre. Koncepti Bau Market i ofron blerësit që nën përkujdesjen e një shërbimi profesional dhe çmime shumë atraktive të bëjë zgjedhjen e tij të duhur në një vend”, u shpreh ai.

Gashani ka premtuar se do të vazhdojnë të zgjerohen edhe në qytetet e tjera të Kosovës.

Bau Market është kompani e shitjes me shumicë dhe pakicë të materialeve në industrinë e ndërtimit dhe meremetim, veglave të punës, materialit dhe pajisje elektrike, pajisje për kanalizimin e ujërave, pajisje shtëpiake dhe për sanitari, për ngrohje qendrore dhe ventilim, pajisje për kopshtari dhe pajisje të ndryshme pune.

Bau Market deri më tani ka pasur tri pika të shitjes,  në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Drenas, por nga sot do të jetë edhe në Ferizaj./KosovaPress/

Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *