A do ta votojnë rrëzimin e Qeverisë, flain Pacolli e Tahiri

Views: 10
Avantgardia

Të enjten pas shumë debatesh e tentimesh, arriti që të futet në votim rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje që ia ndalon Thaçit të dialogojë për kufijtë dhe territorin e Republikës së Kosovës në Bruksel me Serbinë.
Megjithatë një rezolutë e tillë nuk mori përkrahjen e shumicës. Në gjithsejtë 50 vota pro sa mori rezoluta, dy vota ishin të dy deputetëve të pushtetit, Labinot Tahirit dhe Islam Pacollit, ndërsa munguan votat e katër deputetëve të opozitës, Naser Rugovës, Naser Osmanit, Anton Qunit e Fatmire Kollçakut.

Por a mund të shihen dy votat e pushtetit ‘pro’ kësaj rezolute si afrim i këtyre të fundit me opozitën, dhe a mund të llogaris opozita në këto dy vota, në rast se tenton ta rrëzojë qeverinë Haradinaj.

I kontaktuar nga Gazeta Express, deputeti Labinot Tahiri, ka thënë një përgjigje të tillë e mbanë brenda vetes, megjithatë ai thotë se nëse e sheh se gjërat nuk po shkojnë siç duhet do të veprojë si gjithmonë.

“Ajo është përgjegjësia e imja që e mbaj në vete. Nuk i dihet. Por unë e mbaj në vete. Por nëse e shoh që diçka nuk është në rregull sa i përket vendit unë veproj ashtu siç ma merr mendja mua, qysh kam votuar që një vit e gjysmë” ka thënë ai për Gazetën Express.

Lidhur me votën ‘pro’ për rezolutën në seancën e 1 nëntorit, deputeti i AKR-së thotë se ka votuar me vetëdije të plotë, për faktin se në rezolutë bëhej fjalë për ruajtjen e territorit të Republikës së Kosovës.

“Nuk e kam votuar atë për me ia ndalu Thaçit, se presidentet e vendit munden me negociua. Por kur është fjala për territor, atëherë i bie që unë jam pro territorit që mos me u dhanë për Serbinë, që flitet Veriu e Ujmani. Esenca është që unë kam votua me plotë vetëdije, vetëm pse shkruan në rezolutë për t’u mbrojtë territori i Kosovës. Kjo nuk do të thotë që pozita nuk e ka mbrojt, sepse nga pozita ka veteran të Luftës, por unë këtu shoh inati politike. Por edhe pse unë votova, nuk ishin prezent shumë deputet të opozitës. Por nuk më pengon aspak, sepse unë kam përgjegjësinë si deputet ta bëj veprimin e duhur, dhe mendoj që është veprim i duhur kur është në pyetje territori”, ka shtuar Tahiri për Express.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për unifikim të faktorit politik shqiptar brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të defaktorizmimit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

“Lus deputet që të arrijnë një bashke mendim për të dalë nga kjo krizë, sepse as situata nuk është për zgjedhje, dhe as ndërkombëtarët nuk na përkrahin. I bëj thirrje deputetëve të opozitës që t’i bashkohen qeverisë. Në momentet kyçe duhet të bëhemi bashkë me e sfiduar Listën Serbe, me i tregu se s’mundesh çdo herë me luajt rol brenda Kuvendit të Kosovës, sepse këtu është Kosovë dhe nuk është Serbi, dhe se këtu vendosin shumica parlamentare”, ka përfunduar Tahiri për Gazetën Express.

Express ka kontaktuar edhe me deputetin tjetër të AKR-së, Islam Pacollin.

Ai në një bisedë telefonike ka shpjeguar votën ‘pro’ për rezolutën e opozitës duke thënë se ka votuar i fundit, duke qenë se vota e tij nuk do të kishte ndikim në rezultatin e votimit.

Për rrëzimin e Qeverisë, Pacolli thotë se nuk do t’i bashkohen asnjë nisme.

“Asnjëherë AKR-ja nuk do të incioj ose bashkohet në inciativa për rrëzimin e Qeverisë pjesë e të cilës jemi. Ne kemi koordinim të mirë me partnerët e koalicionit dhe respekt për opozitën”, ka deklaruar deputeti Islam Pacolli për Express.

Të njëjtin qëndrim me dy deputetët e AKR-së për rezolutën e opozitës për dialogun me Serbinë, e ka edhe sekretari i kësaj partie, Rrahim Pacolli.

I kontaktuar nga Gazeta Express, ai thotë se nëse tentohet të preken kufijtë e Kosovës, më mirë është të shkohet në zgjedhje.

“Vallahin aty nuk e di. Ne jemi në koalicion me PAN. Por unë jam kundër korrigjimit të kufijve. Unë e përkrahi çdo rezolutë për mos me u prek kufijtë. Nuk e di tash t’i shohim zhvillimet. Por kur është në pyetje territori i Kosovës, AKR-ja mundet më ndryshua. Për mua personalisht kufiri nuk duhet me lëviz dhe nuk besoj se ka me lëvizë. Unë mendoj që duhet të hiqet dorë nga korrigjimi i kufijve sepse nuk është ai ty për me u ndryshua çdo dekadë. Gjithmonë nëse ka rrezik për me pas korrigjim të kufijve edhe nëse prekim interesat e shqiptarëve, edhe në zgjedhje kisha thanë është ma mirë me shkua” ka thënë Rrahim Pacolli për Gazetën Express.

Lidhur me dialogun me Serbinë dhe idenë për korrigjimin e kufijve, Gazeta Express sot ka publikuar një shkrim në të cilin flitet për arritjen e një marrëveshje sekrete, që do kishte rezultat ndarjen e Kosovës.

Serbia do të marr veriun e Kosovës, ndërsa në këmbim Kosova do të marrë vetëm njohjen nga Serbia, por jo edhe Luginën e Preshevës. E në Kosovë faktori politik ka disa muaj që nuk po gjenë gjuhë të përbashkët për këtë çështje

Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *