Ramadan Veliu: Kujtime nga Burgu i Mitrovicës 1 Janari i vitit 1988

Miku Valon Rogova, i cili po ashtu e ka ditëlindjen ne te njëjtën ditë dhe në të njëjtin vit, dje më luti t’i shpalos kujtimet e mia nga 1 janari i vitit 1988 gjë që po e bëj:

Ndodhesha ne Burg ne Mitrovicë dhe at ditë duhej të lirohesha nga burgu. Një javë më parë papritmas njëri nga gardianet e hapi derën dhe me tha: «Merri gjithë gjerat tua personale dhe dil jashtë.

Nuk mu dashten me shume se 3-4 minuta, pasi mora pasten dhe brushën e dhëmbëve, sapunin, rrobat isha gati. U përshëndeta me shokët dhe dola. Gardiani më printe para dhe me dërgoi në katin e sipërm në një qeli, që ne i thonim « vetmi », pra isha i vetëm. Gardiani ma mbylli derën dhe iku. Pasi i lëshova gjërat e mia në pranë krevatit, fillova të ec nëpër qelinë time. S’më hiqej nga mendja pyetja: Pse më ndanë nga shokët një javë para se të lirohesha. Urdhëri do të ketë ardhur nga Drejtoria e Sigurimit Shtetëror apo UDBa. Qëllimi i tyre do të ketë qenë që të mos mund të merresha vesh me shokët për ndonjë gjë, ose të mos iu kryeja ndonjë porosi të tyre pasi të lirohesha.
Drejtori i burgut Shera ( Sherfedin Ajeti) më heret më kishte bërë me dije indirekt, përmes një të burgosuri tjeter, se nëse do të shkruaja një lutje, ndoshta do të më lironte një muaj para kohe. Kjo ishte më tepër sa për të na matur pulsin se a mos ishim ligështuar. …Por kjo as që diskutohej. …T’i lutesh drejtorit të burgut apo gjykatës të të fal ?!…Jo për njëmuaj, por as për një vit e as për dhjetë vite. I tillë ishte morali ynë. Nuk e kërkonim si lëmoshë lirinë. Këtë nuk do ta bënte askush nga shokët që ishin të burgosur politik. …Në të vërtetë personeli i burgut, në rrethan të caktuar edhe na kanë sulmuar si të tërbuar duke u vërsulur nga tre-katër gardianë mbi një person, por asnjëherë nuk jemi nënshtruar e as përkulur. Ne kemi qenë fitues moral në çdo situatë, sepse nuk kanë arritur të na thejnë asnjëherë.

 
Erdhi 1 janari 1988, e dija se at ditë do të lirohesha. Diku rreth orës 11 erdhi një gardian dhe ma hapi derën dhe më tha t’i merrja gjërat e mia dhe të dilja jasht. …E kishin bërë gati fletëlëshimin me porosinë se pas tri ditësh duhej patjetër të lajmërohesha në Sigurimin shteteror në Ferizaj. Thash pse të lajmërohem atje?! Ju tregoni atyre se unë jam liruar, kjo është punë e juaja e jo e imja!… Ata e dinë që t ‘kemi liru, por ti duhet të paraqitesh vetë. Thash jo more unë nuk kam nevojë për ta. Ne po të tregojmë e ti nëse nuk paraqitesh i sheh pasojat ma vonë. Ma hapën derën dhe dola jasht.
Posa më nxuarën jasht, e mbyllën derën. Unë nuk u largova nga burgu, por vetëm bëra disa hapa në të djathtë dhe fare pranë rrethojës së hekurt të burgut shikoja nga dritaret ku ndodheshin shokët brenda në burg.

Në të vërtetë disa nga shokët që ndodheshin në dhomën tjetër, duke e ditur se në momentin kur të lirohesha nuk do të mund të përshëndeteshim shkaku i pranisë së gardianëve, ata nja dy-tri javë më heret më kishin thënë që at ditë pasi të lirohesha nga jashtë të ndalesha pak dhe të përshëndetshim duke tundur dorën në ajër. Kështu që unë prisnja të më shihnin dhe të përshëndeteshim. Pasi nuk jepte shenjë askush, mendoja se ishin në sheti apo në toalet dhe prisnja deri sa të ktheheshin. …Prita bukur gjatë, mbi gjysëm ore dhe pasi ishte koha e drekës gardianet mund të leviznin andejpari, prandaj mendoja se ata nuk mund të ngjiteshin në dritare në ato rrethana. Kështu që eca. Po të më kishin hetuar gardianët se po shikoja aq gjatë burgun nga jashtë, do të kisha pas një problem të madh. Fati që ishte festë dhe nuk kishte levizje. …Më vonë siç më tregoi Remzi Bunjaku, ata më kishin parë mua, por unë shkaku i ndriqimit të dobët brenda burgut dhe shkaku i dritës së fortë nga jashtë nuk kisha mundur t’i shohë ata. 


Eca tutje, në Mitrovicë kisha mbajtur më 1979/80 gjashtë muaj dhe herën e dytë mbi dy vjet por qytetin nuk e njihja fare, kështu m’u dashtë të pyesja kalimtarët se ku ndodhej stacioni i autobusëve. Kishte një copë rrugë deri atje. Në të vërtetë Baba më kishte thëne të vinte me nje taksi at ditë të më merrte, por unë i thash kategorik jo, unë vij vetë i thash. Gjatë rrugës ecja i lehtësuar, më dukej se fluturoja.


Nuk me hiqej nga mendja absurditeti i mbajtjes në arrest. Deri para pak orësh isha i rrethuar me aq hekura, me aq siguri të lartë, me aq personnel hijerëndë etj dhe ja tani vetëm një orë më pas isha i lirë. Unë si tani, si dje, si para pesë vitesh, sa kisha qendruar ne burg, isha i njejti person me të njejtat bindje. Çka ndryshoi që unë tani jam i lirë e më parë jo?!… Pse deri pak më parë isha aq «i rrezikshëm» e tani jo?!… E tëra ishte krejt iracionale, apo një absurd në vete… 
Arrijta tek stacioni i autobusëve. Posa e lexova në xhamin a një autobusi relacionin Mitrovicë-Prishtinë dhe i cili po parkohej, unë ende pa u ndalur mirë ai deshta të futem brenda. Shoferi me pa me habi dhe më tha : «Kadal bre jaran prit pak se edhe gjysëm ore nuk nisemi!» Nuk më la të hyj brenda. E kuptova se isha ngutur, por mua nuk më pritej. Pas një çerek ore i hapi dyert dhe u futa brenda i pari. Gjatë gjithë kohës mundohesha të shihja çdo gjë, çdo detal, …natyrën, njerëzit, shtëpiat. Nuk ngopesha së shikuari. Arrijtëm në Prishtinë dhe pas pak mora linjen Prishtinë -Shtime.
Pasi arrita në Shtime zbrita nga autobusi dhe mora drejtimin ku banonin me qira familja ime. Meq ishte e premte, përkundër faktit që ishte festë dmth. një janari, mbahej tregu. Unë leshova rrugën e asfaltuar dhe për të shkuar tek familja ime duhej të ecja një rruge me baltë. Kur ja… Baba po vinte drejtë meje. Ishte i zhytur në mendime. Unë i dola para dhe ai lëvizi në të majtë për të më hapur rrugë. E kuptova që nuk më kishte pa dhe më mori si ndonjë kalimtar rasti. O Babë a nuk po më njeh a? E ngriti dorën si strehë mbi syt se pengohej nga dielli i janarit dhe më pa. A ti je bir a ?! …U muarëm ngryk fortë dhe u kthye me mua bashk shkuam në shtëpi. Shtëpia ishte plotë me vëllezer, motra, teze, halla, nipa e mbesa. Ishte një takim shumë i përmallshëm sidomos më Nanën, i dridheshin buzët, duart nuk dintë a të qante a të qeshte nga gëzimi…