Kryeministri Haradinaj bëhet me 35 këshilltarë, mbi 380 mijë euro shpenzime për paga

Views: 54
Avantgardia

Zyra e Kryeministrit do t’i rrisë edhe më shumë shpenzimet nga buxheti i shtetit.

Kjo sepse ka vendosur të shtojë numrin e këshilltarëve politikë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka marrë vendim që kryeministri mund të emërojë deri në 15 këshilltarë politikë.

Pos kësaj, Haradinaj mund të ketë edhe 9 këshilltarë të tjerë nga radhët e komuniteteve, përfshirë atë malazez dhe kroat, që zyrtarisht nuk njihen si komunitete.

Në total, kryeministri pritet t’i ketë 24 këshilltarë politikë që paguhen nga paratë e taksapaguesve kosovarë.

Bazuar në vendimin për rritje të pagave të qeverisë, paga e këshilltarit politik të kryeministrit është 1.340.

24 këshilltarët e Haradinajt pritet të marrin mbi 32 mijë euro në muaj apo rreth 386 mijë euro në vit.

Zyra e Haradinajt i ka thënë KTV-së se kryeministri ka edhe 11 këshilltarë të jashtëm.

Me ta, por që nuk paguhen nga buxheti, Haradinaj pritet të ketë afër vetes 35 këshilltarë.

Por, Zyra e Kryeministrit thotë se 9 këshilltarët e komuniteteve nuk duhet të hyjnë në numrin e përgjithshëm të këshilltarëve.

Në një përgjigje të shkruar, arsyetojnë vendimin për shtimin e këshilltarëve politikë, për shkak të, siç kanë thënë, angazhimeve shtesë në dialog dhe në fusha të tjera në sundim të ligjit dhe të ekonomisë.

Sipas ndryshimit të rregullores për fushat dhe përgjegjësitë e Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, thuhet se zëvendëskryeministri i parë, që tani është Behgjet Pacolli, mund të emërojë deri në 9 këshilltarë politikë.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrat pa funksion ministror, Fatmir Limaj dhe Enver Hoxhaj, do të kenë afër vetes nga 11 këshilltarë politikë.

Zëvendëskryeministrat që janë edhe ministra, sipas këtij vendimi, mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë.

Kurse, 18 ministrat tjerë kanë të drejtë të emërojnë deri në 6 këshilltarë, që i bie se për ministra do të jenë rreth 130 të tillë.

Por, numri i këshilltarëve për zëvendëskryeministrat që janë edhe ministra, si dhe për
ministrat, do të jetë edhe më i madh, ngase të njëjtit mund të emërojnë një këshilltar politik nga komunitetet.

Qeveria Haradinaj, vetëm pas 3 muajve të nisjes së punës, ia rriti pagat vetes 100 përqind. Kryeministri merr pagë mujore 2.950 euro.