Historia e Hyrë Eminit, dëshmores nga Ferizaj

Views: 1231
Avantgardia

Hyrë Emini ka lindur në Ferizaj, në një familje me traditë të pasur kombëtare, e ardhur më herët nga fshati Maçitevë e Therandës.

Si mijëra familje të tjera shqiptare, edhe familja e Hyrës, në vitin 1958 kishte marrë rrugën e shpërnguljes së dhunshme për në Turqi. Mirëpo, për arsye të ndryshme, pas arritjes në Maqedoni, ajo nuk arrin të vazhdoj më tej dhe atje qëndron deri pas rënies së xhelatit antishqiptar serb, Rankoviq, kur kthehet në Kosovë dhe vendoset në fshatin Neredime të Ferizajt. Më vonë, kjo familje vendoset në qytetin e Ferizajt.

Shkollimin fillore, Hyra e kreu në qytetin e lindjes, sikurse edhe shkollën e mesme-Gjimnazin. Gjatë shkollimit të mesëm, ishte shpallur nxënësja më e dalluar në Ferizaj. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, regjistrohet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku po ashtu ishte studente me sukses të dalluar.

Në fakultet, Hyra njohu dhe krijoi lidhje të ngushta me shumë studentë, ndër të cilët edhe me pjesëtarët e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nait Hasani e Hyrie Veliu. Si organizatore e manifestimit të fundit, në fillim të vitit 1994, ajo arrestohet nga sigurimi shtetëror serb i Ferizajt dhe dënohet për kundërvajtje, me dy muaj burg. Një pjesë të këtij dënimi e vuan në shtëpinë ndëshkuese të në Lipjanit, kurse pjesën tjetër, në burgun e Pozharecit, në Serbi.

Në fillim të viteve ’90, Hyra ishte angazhuar edhe në kuadrin e Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mirëpo me kohë ishte tërhequr nga kjo organizatë, pasi ishte bindur në shterpësinë dhe kotësinë e politikës së pacifizmit nënshtrues që po udhëhiqej nga LDK-ja.

Duke qenë tashmë vazhdimisht nën vëzhgimin e sigurimit shtetëror serbe, Hyra detyrohet t’i ndërpres studimet në Universitetin e Prishtinës, për t’i vazhduar në atë të Tiranës. Mirëpo, edhe në Tiranë Hyra nuk i kishte vënë studimet në plan të parë. Këto studime ajo do t’i përfundoj vetëm pasi të mbaronte lufta e armatosur në Kosovë, ku mori pjesë në frontet e saj.

Më 29 Korrik të vitit 2001 në Tanushë të Gostivarit ra dëshmore.