Franca dhe Gjermania kundër taksës ndaj produkteve serbe, Gjermania edhe kundër ndryshimit të kufijve

Views: 351
Avantgardia

Gjermania dhe Franca janë shprehur kundër taksës së vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga autoritetet kosovare.

Madje, Gjermania qëndron pranë deklarimeve të mëparshme se është kategorike kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Një konkluzion i tillë mund të nxirret nga deklaratat e dy përfaqësuesve të këtyre dy vendeve të fuqishme evropiane, në një intervistë për mediumin serb “Blic.rs”, përcjell Telegrafi.

Gjatë intervistës së përbashkët për mediumin në fjalë, ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb dhe ai i Francës në Beograd, Frederic Mondoloni, kanë folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, rolit të SHBA-së në dialog, për taksën ndaj produkteve serbe, si dhe për vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin në Serbi.

“Pika jonë e parë është shumë e qartë. Franca përsërit mbështetjen e saj të fortë për dialog që të çon në drejtim të BE-së dhe punën e znj. Federica Mogherini dhe na vjen keq për çdo veprim të njëanshëm që e shtyn një kompromis, duke rezultuar në përçarje të besimit reciprok dhe krijon rrezikun e përshkallëzimit. Sipas asaj që BE-ja ka shprehur tashmë, Franca i bën thirrje Kosovës që pa vonesa të mëtejshme të heqë taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat janë në kundërshtim me frymën e marrëveshjes së CEFTA-s dhe MSA-së të nënshkruar me BE-në”, citohet të ketë thënë ambasadori Mondoloni.

Në po të njëjtën linjë me homologun e tij francez është deklaruar edhe ambasadori gjerman në Beograd.

“Ne jemi dakord me Federica Mogherinin se tarifa e futur nga Kosova paraqet një shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s dhe duhet të shfuqizohet. Qeveria gjermane në mënyrë të qartë ka shpallur pozicionin e saj. Ne inkurajojmë të dyja palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të vazhdojnë me dialogun e Brukselit. Qëllimi është një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjore që është kusht për pranimin në BE. Kjo marrëveshje duhet të jetë e qëndrueshme dhe e zbatueshme mbi parimin e multietnicitetit, për të siguruar të drejtat e minoriteteve dhe standardet demokratike dhe për të kontribuar në stabilitetin rajonal. Për këtë arsye ne qëndrojmë në pozicionin tonë për pandryshueshmërinë e kufijve”, ka thënë ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb.