Loriana ​Kuka e mposht rusen dhe kualifikohet në gjysmëfinale

Views: 201
donita

Xhudistja kosovare, Loriana Kuka, ka arritur ta fitojë ndeshjen kundër ruses Aleksandra Babinsteva, duke e siguruar një vend në gjysmëfinale të garës Grand Prix Tel Aviv në kategorinë e peshave -78 kilogramë.

Në çerekfinale të kësaj gare, Kuka arriti ta fitojë ndeshjen kundër xhudistes nga Rusia, Babinsteva, të cilën e mposhti me rezultat teknik 1-0, shkruan Gazeta Express.

Për t’u kualifikuar në çerekfinale, Kuka e kishte mposhtur, këtë herë me ippon, xhudisten nga Holanda, Ilona Lucassen. Të dyja këto xhudiste ishin kualifikuar automatikisht në rrethin e dytë të kësaj gare.

Në gjysmëfinale , Kuka do të ndeshet me xhudisten nga Britania e Madhe, Natalie Powell.

Kuka do të tentojë t’ia sigurojë Kosovës medaljen e dytë të artë në këtë garë, pasi që dje Majlinda Kelmendi arriti ta fitojë garën në kategorinë e peshave -52 kilogramë. Kelmendi i fitoi të gjitha katër ndeshjet e zhvilluara me ippon.

Gjatë karrierës së saj, kosovarja i ka fituar katër medalje të arta dhe dy të bronzta. Për momentin, ajo radhitet në pozitën e 24-të në renditjen botërore të xhudistëve në kategorinë e peshave -78 kilogramë.