Vjen deklarata zyrtare e Qeverisë, pas takimit mes Haradinajt, Veselit, Limajt e Pacollit

Views: 1099
Avantgardia
Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, pas një takimi të jashtëzakonshëm që kanë zhvilluar krerët e partive në pushtet, në ndërtesën e Qeverisë.

Ky takim, i cili kishte nisur në pasditën e së mërkurës, ka zgjatur më shumë se dy orë.

Por, më vonë, nëpërmjet një komunikate, ata kanë bërë të ditur se kanë diskutuar “për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës”.

Partnerët e koalicionit janë dakorduar që “ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura”, thekson komunikata.

Qeveria ka njoftuar se gjatë takimit të krerëve të koalicionit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

“Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, thekson njoftimi.

Gjithnjë sipas këtij njoftimi, krerët e koalicionit qeverisës “u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërëndimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në”.

“Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse”, përfundon komunikata e Qeverisë. /Express/
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/vjen-deklarata-zyrtare-e-qeverise-pas-takimit-mes-haradinajt-veselit-limajt-e-pacollit-621473/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright