Sindikata e KEK’ut: Tërhiqeni Ligjin për pagat ose Kosova do të mbetet në terr

Termocentralet e Kosovës do të ndalen nëse Korporata Energjetike e Kosovës do të futet në Ligjin për paga.

Kështu ka bërë të ditur për arbresh.info nënkryetari i Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica.

Llumnica ka thënë se është e papranueshme futja e KEK-ut në Ligjin për Pagat.

“Për ne si punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës është e papranueshme futja në këtë ligj për paga sepse ne e kemi buxhetin tonë që e krijojmë nga prodhimi i energjisë elektrike e jo prej buxheti të shtetit dhe në KEK nuk ka punëtorë të administratës apo shërbyes civil por janë punëtorë të minierës e të termocentralit”, ka thënë Llumica.

Ai ka shtuar se punëtorët e KEK-ut nuk mund të krahasohen me ata të administratave e shërbyeseve civil.

“70% e tyre nuk e shijojnë as pensionin pasi kushtet janë mjaftë të rëndë pa marrë parasysh se janë bërë investime për pajisje personale mbrojtëse dhe përkundër përdorimit të tyre nuk mund të iu iket rreziqeve në punë dhe kjo është arsyeja pse ne nuk mund të pajtohemi e të gjejmë punëtorë të punojmë për koeficientet që i kanë caktuar për administratën dhe shërbyesit civil”, ka thënë ai.

Llumica ka thënë se do të hyjnë në grevë dhe Kosova mbetet në terr nëse nuk e tërheqin KEK-un nga Ligji për paga.