Babai i ministrit të PDK-së ndërton lagje milionëshe e ka vetëm 20 mijë euro në bankë

Views: 1057
Avantgardia

Një lagje super luksoze që është në pronësi të familjes së ministrit Besim Beqaj ka filluar të marrë formë në Bellopojë të Pejës. Plani i familjes Beqaj është që të ndërtojë 57 shtëpi luksoze, ndërkohë deri më tani janë ndërtuar vetëm gjysma.

Lagjen e cila quhet “Peja Hill” është duke u ndërtuar nga kompania “Peja Hill”, pronarë të së cilës janë babai dhe një vëlla i Besim Beqajt.

Pra, pronar është Jakup Beqaj, babai i ministrit dhe një nip që ka emrin Veton Beqaj, e i cili është një djalë i ri që është diplomuar në mars të vitit 2016.

Ndërsa, në kohën e njëjtë të diplomimit me Veton Beqajn është regjistruar si biznes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve edhe ndërmarrja “Peja Hill”, shkruan FaktePlus.

Megjithëse ndërtimi i lagjes duket të ketë kosto shumë të lartë, ministri Besim Beqaj kur e ka deklaruar pasurinë në vitin 2018, ka treguar se në llogarinë bankare të babait të tij janë vetëm 22 mijë euro para të gatshme, të fituara nga pagat në biznesin e Jakup Beqajt, “The Cambridge School”.

Ndonëse, ka deklaruar të hyrat e babait, vetëm nga kolegji, ato nuk janë deklaruar edhe nga kompania “Peja Hill”.