Një veturë ndjek avokatin që zbuloi skandalin në Drenas, IPK njoftohet për rastin

Views: 967
Avantgardia
Një veturë xhip, të enjten në mbrëmje, ishte vënë pas veturës me të cilën po udhëtonte për në shtëpinë e tij në Drenas, avokati Gazmend Halilaj. Ngjarja ndodhi në ditën kur u kuptua se avokati në fjalë denoncoi në Prokurorit të Shtetit e me pas edhe në media skandalin me minoren A.G., nga Drenasi, në të cilin dyshohen të jenë përfshirë një polic dhe mësues.

Autoritet e Sigurisë në Kosovë kanë marrë informacione se avokati Gazmend Halilaj, që zbuloi skandalin e shfrytëzimit seksual të një të miture në Drenas – në të cilin dyshohet se u përfshinë një mësues dhe një polic i kësaj komune – është ndjekur nga një veturë e tipit xhip, derisa po shkonte në shtëpinë e tij.

Burimet e Gazetës Express, brenda Inspektoratit Policor të Kosovës, tregojnë se ngjarja ka ndodhur të enjten në mbrëmje, derisa avokati Halilaj po kthehej në Drenas, nga Prishtina. IPK po heton rastin në fjalë, të zbuluar nga avokati kosovar.

Vetë avokati në fjalë, të premten, nuk ka dashur të flasë për Gazetën Express, për kanosjen që i ka ndodhur një natë më parë.

Megjithatë në një intervistë për Televizion 7, ai kishte lënë të kuptohet se veprimi i tij mund të jetë me pasoja të rrezikshme.

Madje, për këtë në emisionin Frontal, Gazmend Halilaj tha se ishte paralajmëruar nga të afërm të tij, përfshirë edhe njerëz të Prokurorisë së Shtetit, para se të publikonte në media rastin e minores së përdhunuar.

Ngjarja e së enjtes, me veturë, sipas burimeve të Gazetës Express ka ndodhur, pak orë pasi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, përfundoi seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj policit Vesel Veseli, që dyshohet se përdhunoi minoren A.G., pasi të njëjtën gjë e kishte bërë edhe një mësues nga Drenasi.

Përkundër kësaj, autoritet kosovare avokatit Gazmend Halilaj ende nuk i kanë ofruar ndonjë mbrojte. Këtë e konfirmoi edhe ai vet për Gazetën Express.

Historia e A.G. me policin Veseli, sipas denoncimit të saj, kishte nisur pasi ajo kishte shkuar në stacionin policorë të Drenasit të lajmëronte rastin e shfrytëzimit seksual nga mësuesi i saj, gjatë kohës sa ajo ishte 16 vjeçare.

Sipas denoncimit, A.G. ishte detyruar të abortonte fëmijën e saj, pasi kishte mbetur shtatzënë.

Për rastin në fjalë deri më tash, IPK’ja ka kryer tre arrestime. Në paraburgim për këtë rast janë polici Vesel Veseli, mësuesi Shkëlzen Xhekaj dhe gjinekologu Fehmi Ahmeti – që dyshohet se kreu abortin.

Ky rast, përveç se ka tronditur opinionin publik, ka ngjallur edhe reagime të ndryshme dhe dy protesta deri më tash të organizuara./M.Gj
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/nje-veture-ndjek-avokatin-qe-zbuloi-skandalin-ne-drenas-policia-po-heton-rastin-624750/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright