Rektori i cili i hapi programet vetëm për punësimet e njerëzve të tij, por KShC universitetit të Ferizajt i mbyllen mbi 55 për qind të programeve të studimeve

Views: 625
Avantgardia

Universiteti më i ri publik në Kosovë nuk ka kaluar mirë në procesin e akreditimit në fazën fillestare të vlerësimit nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

KALLXO.com ka siguruar listën e degëve, departamenteve dhe programeve të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, të cilat kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili akrediton programet studimore.

Mirëpo kjo listë ende nuk është përfundimtare deri në përfundimin e procesit të ankimimit, ndaj vendimeve të KShC-së.

Nga katër fakultete brenda UShAF-it, tashmë kanë mbetur vetëm dy, fakulteti i Inxhinierisë dhe Informatikës, si dhe fakulteti i Turizmit dhe Ambientit.

Të akredituara janë vetëm pesë programe, ndërsa gjashtë të tjerave u është tërhequr dhe refuzuar akreditimi.

Për secilin program studimi të nivelit Bachelor duhet pasur tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë, në programet Master duhet të jenë një ose dy doktorë shkence, ndërsa për studimet e doktoratës për secilin program duhen tre profesorë të asocuar.

Si pasojë e mosplotësimit të këtij kriteri, Universiteti i Ferizajt mbeti pa programet ‘Inxhinieri industriale dhe informatikë’ në nivelin Bachelor dhe ‘Menaxhment i turizmit dhe hotelieri’ në nivelin Bachelor.