Haradinaj: Kush i cenon kufijtë është armik i Kosovës

Views: 102
Avantgardia

“Nëse ne i hapim kufijtë e kësaj Kosove, atëherë i hapim edhe varret e atyre për të cilët jemi ardh për t’i kujtuar sot, plagët dhe vuajtjet e tyre. Ai që cenon këta kufij, është armik i Kosovës”.

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë fjalimit të tij të mbajtur para familjeve të dëshmorëve të Komunës së Deçanit.

Haradinaj tha se janë në javën e përvjetorit të Pavarësisë ku bëhen 11 vjet që Kosova u bë shtet sovran dhe i pavarur.

“Kjo javë ka rastisur që të fillojë në Deçan, një rastësi e cila është me meritë. Pra Deçani dhe kjo trevë e Dukagjinit, vërtet janë me meritë për lirinë e atdheut tonë, pavarësinë”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se e drejta e shqiptarëve është studiuar e trajtuar nga shumë mendimtarë e njohës të zhvillimeve, jo vetëm në Ballkan por edhe në botë.

Siç përcjell zyra e tij, ndër tjerash, tha se “në luftën e ’98 e ’99 të UÇK-së me ndihmën e NATO-s të prirë nga Amerika, e për të cilën ne jemi mirënjohës ndaj tyre, u realizua një pjesë e të drejtës shqiptare e cila kishte mbetur peng me mijëra vjet përpjekjesh, e që ajo ishte Kosova”.

Më tej, duke folur për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj e bëri të qartë se 17 Shkurti i 2008-ës dhe flamuri i saj ishte një minimum kompromis i të drejtës së shqiptarëve dhe se duke qenë kështu, çdo shqiptar e ka obligim ta mbrojë këtë Kosovë, Kosovën e 17 Shkurtit, mbrojtjen e së cilës siç tha ai, e obligon edhe Kushtetuta.