LDK-ja në Ferizaj akuzon Komunën për kontrata pa mbulueshmëri financiare

Views: 113
Avantgardia

Subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj, ka akuzuar Ekzekutivin e Komunës për një varg projektesh kapitale, me arsyetimin se janë zhvilluar disa procedura pa mbulueshmëri financiare.

Sipas LDK-së, disa kontrata të nënshkruara për projekte infrastrukturore nuk ekzistojnë nëpër kode buxhetore derisa kanë analizuar tabelat e buxhetit për vitet 2018 dhe 2019 të kësaj komune, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas LDK-së, në regjistrin e projekteve për Ferizajn nga Ministria e Infrastrukturës janë dy projekte kapitale, ai për ndërtimin e mbikalimit në vlerë prej 150 mijë eurosh dhe ndërtimi i nënkalimit për vetura në vlerë prej 3 milionë e 500 mijë eurosh për katër vjetët e ardhshëm.

Valon Halimi, anëtar i Kryesisë së degës së LDK-së në Ferizaj, njëherësh kryetar i Komisionit për infrastrukturë në këtë subjekt, ka thënë se qeverisja lokale në Ferizaj, pa procedura të buxhetit dhe pa asnjë njoftim paraprak të Kuvendit Komunal, po vazhdon nënshkrimin e kontratave pa mbulesë buxhetore.

Sipas tij, kjo po ndodh sidomos me projektet infrastrukturore dy, tre e katërvjeçare, për të cilat nuk ka mjete të planifikuara as për pesë vjetët e ardhshëm.