Vucic thotë se Serbia s’fiton gjithçka në dialog me Kosovën

Views: 882
Avantgardia

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka thënë se shteti i tij nuk do të përfitojë gjithçka nga dialogu me Kosovën. Por, ka thënë se ideja e tij është të mbrohet populli serb në Kosovë.

“Mos u merakosni, unë do të përkujdesem për popullin tonë në Kosovë, por nuk do të premtoj gjithçka, sepse të tjerët kanë premtuar dhe kaherë i kanë humbur të gjitha. Do t’i mbrojmë njerëzit tanë, por le të mendojmë për jetën”, tha ai

Vuçiq ka potencuar se është e domosdoshme që serbët ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre historike, duke thënë se fakti që nuk iu kundërvihet shqiptarëve dhe të tjerëve nuk iu kundërvihet me fjalë të forta, “kjo nuk paraqet dobësinë tonë [serbëve]”.

“Kjo nuk do të thotë se ne do t’i japim dikujt diçka nga interesat tona kombëtare. Të gjithë ata që tash rrahin gjoks, ose i kanë dhënë tashmë të gjitha, ose do t’ua jepnin të  tjerëve atë që është e jona”, tha Vuçiq.

“Për ne, gjëja më e rëndësishme është t’i përkushtohemi të ardhmes, të mendojmë për punë. Mos u shqetësoni, siç e kam bërë në ballafaqim me Thaçin edhe më fuqishëm do të mbroj interesat e Serbisë, sesa ata që ne të mbajë leksione mua, sepse unë e dua Serbinë dhe popullin tonë”, tha ai.

Kosova dhe Serbia janë në një proces përfundimtar të dialogut për të arritur marrëveshje finale. Por, ky proces është ndalur për shkak të vendosjes së taksës nga Qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë.

Presidenti i SHBA’së, Donalt Trump, ka thënë se marrëveshje mes Kosovës e Serbisë duhet të jetë e balancuar.

Vucic ka kërkuar ndarje etnike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve si dhe asocicacion me kompetenca ekzekutive për pjesën tjetër të serbëve që mbesin në Kosovë.

Hashim Thaçi, President i Kosovës, ka thënë se marrëveshje finale me Serbinë duhet të përfshijë korrigjim kufijsh. Ka thënë se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës.

Bekim Çollaku, këshilltar i Thaçit, ka thënë se marrëveshje e korrigjimit të kufirit do të jetë e balancuar, duke thënë se edhe prekja e kufirit do të jetë e njëjtë si në brendësi të Serbisë ashtu edhe në brendësi të1 Kosovës.