Vetëvendosje largon aktivistin që hodhi gaz lotsjellës në Ferizaj

Views: 235
Avantgardia

Lëvizje Vetëvendosje ka përjashtuar aktivistin Enver Bajrami, i cili hodhi gaz lotsjellës në procesin e votimit në Qendrën e Ferizajt.

Në njoftimin e Lëvizjes Vetëvnedojse thuhet se ai është akuzuar për sjellje të pahijshme dhe se ka ndërhyrë gjatë punimeve të Këshillit.

“Për sjelljet e pahijshme dhe antistatutore të anëtarit të deritashëm E. B., Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për përjashtim nga Lëvizja Vetëvendosje me arsyetimin se ka penguar mbajtjen normale të mbledhjes së Këshillit të Qendrës, dhe si person i paautorizuar ka ndërhyrë gjatë punimeve të Këshillit dhe se ka dëmtuar imazhin dhe integritetin e Organizatës me veprimet e tij”, thuhet në njoftim.

“Ndërsa, anëtarëve L. C., P. C., K. C., si dhe R. R. iu pezullohet statusi i anëtarit deri në sqarimin e plotë të rastit”, thuhet më tej aty.

Në një njoftim për media, kjo Qendër ka shkruar se pas zgjerimit e shtrirjes në rreth tridhjetë fshatra e lagje të Ferizajt, Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Ferizaj më 24 shkurt mbajti mbledhjen zgjedhore të Këshillit të Qendrës, në të cilën u kompletuan strukturat.

“Me një pjesëmarrje masive e si asnjëherë tjetër u zgjodhën Kryesia e Qendrës dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm. Rreth 100 delegatë ishin të pranishëm nga 116 gjithsej. Asnjë delegatë i Këshillit të Qendrës nuk kishte as vërejtje e as kundërshtime. Dhe përkundër përpjekjeve të pashpresa për të penguar punën e Këshillit të Qendrës, delegatët vazhduan punimet dhe në fund zgjodhën strukturat në një proces transparent, demokratik e të rregullt”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Sipas njoftimit, nga fuqizimi e rritja e Organizatës e në përpjekje për ta zbehur e njollosur atë, pa kurrfarë arsye e argumenti, anëtari i deridjeshëm E. B., që nuk ishte as delegat i Këshillit e as pjesë e strukturave drejtuese, pasi që nuk arriti të pengojë punimet e mbledhjes, hodhi një bombolë gazi në fund të sallës.

“Lëvizja Vetëvendosje! është subjekti më demokratik në vend, i cili e njeh dhe e respekton mendimin ndryshe dhe kritikën, por rregullat dhe dokumentet tona themeltare janë baza e organizimit dhe funksionimit tonë. Ndërsa përpjekjet për të penguar punën e strukturave dhe sjelljet e pahijshme, në kundërshtim me Statutin dhe Rregulloren janë të papranueshme dhe të palejuara”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje e kishte mbajtur larg publikut ngjarjen që kishte ndodhur në zgjedhjet në Kryesi. Koha.net raportoi mbrëmë se Enver Bajrami, që aktivist i kësaj partie që nga viti 2010, ka pranuar se ishte ai që hodhi gazin lotsjellës në sallën ku po mbahej procesi. Si pasojë, sipas tij, procesi ka vazhduar në një sallë alternative.

Ai ka thënë se arsye për hedhjen e gazit lotsjellës është se i është mohuar e drejta e fjalës. Ai ka thënë se “ngufatja e fjalës së lirë ka derivuar te ngufatja nga gazi lotsjellës”.

“Zgjedhjet e brendshme të filluara në vitin 2018, dje përfunduan të kontrabanduara ashtu siç kishin filluar, duke imponuar ‘zgjidhje’ dhe assesi zgjedhje. Kur hipokrizia bëhet normë e sjelljes, atëherë edhe pritjet për ta fshehur vdekjen e demokracisë së brendshme janë të kota. Pamjet e mëposhtme janë realiteti i reagimit kundrejt autokracisë së brendshme të instaluar kaherë në LVV”, ka shkruar ai në një letër drejtuar redaksisë së Koha.net. Ka shtuar tutje, se aty ku ndalohet e drejta themelore e shprehjes dhe fjalës së lirë dhe nëpërkëmbet dinjiteti i aktivistit si qenie politike, aty janë predispozitat e para të centralizimit dhe konformizmit drejt shoqërisë unitariste. “Falë pluralizmit koha e njëmendësisë po perëndon, ndërkohë që fatkeqësisht gazi lotsjellës si ‘mjet demokratik’ ende është zgjedhja e padëshiruar si nga përdoruesit po ashtu edhe nga ata që padëshirë dhe pafajshëm e kanë përjetuar”, ka shkruar ai më tej.