Kosova pa njohje të reja: Kërkohet shkarkimi i Pacollit, ai ka një përgjigje

Views: 534
Avantgardia

Dështimi në sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën, tash e trembëdhjetë muaj dhe mos anëtarësimi në organizata ndërkombëtare ka bërë që të kërkohet dorëheqja ose shkarkimi i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli. Ndërsa ky i fundit thotë se ato nuk mund të merren si me magji.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetit të saj, Ismet Beqiri shprehet se ka stopim të njohjeve të reja dhe për gjithë këtë dështim diplomatik, siç konsideron ai duhet të kenë përgjegjësinë gjithë bartësit e institucioneve

Për pozitën aktuale të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, Beqiri thotë se ajo asnjëherë nuk ka qenë më e keqe.

“Ne kemi institucione që fatkeqësisht nuk kanë kredibilitet dhe nuk janë duke e kryer punën siç duhet. Përkundrazi janë duke bërë dëme të mëdha vendit. Në mungesë të këtij kredibilitetit brenda në vend, mund të kredibiliteti dhe besueshmërie kanë jashtë vendit. Andaj dhe në gjendjen që jemi, kjo po reflekton dhe në aspektin diplomatik ne kemi aktualisht një gjendje jashtëzakonisht të keqe, në aspektin e relacioneve përgjithësisht ndërkombëtare, me theks të veçantë në aspektin diplomatik dhe rreth njohjeve… Mbi 1 vit nuk kemi njohje, nuk kemi efektivitet në diplomacinë tonë, kemi ngecje të jashtëzakonshme, kjo i bën përgjegjës gjithë bartësit e institucioneve”, thotë deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri.

Edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se diplomacia e shtetit të Kosovës ka dështuar, pasi sipas tyre nuk po lobohet për njohje dhe anëtarësim në organizata multilaterale, por në ndarje dhe korrigjim të kufijve.

Deputetja nga radhët e kësaj partie, Fitore Pacolli për gjithë këto dështime, siç i cilëson ajo, në diplomacinë kosovare duhet dorëheqja e ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli dhe jo vetëm e tij.

Për mundësit e njohjeve të reja, deputetja e VV-së shprehet se nuk do të ketë asnjë njohje të re deri sa është kjo situatë.

“Diplomacia e shtetit të Kosovës ka dështuar dhe po vazhdon me atë ritëm, ne nuk kemi diplomaci. Nuk kemi lobim, shqetësuese mbetet ajo që tani presidenti po lobon që të njihet dhe të përkrahet iniciativa e tij për korrigjim të kufijve. Ne patëm deputetin e përfaqësueseve në Britani i cili e thekson se presidenti i Kosovës ka shpenzuar mjaft para për me i bërë shtetet që e kanë njohur Kosovën për me përkrah iniciativën e tij. Pra, në vend që ne të lobojmë për njohje, ne po lobojmë për ndarjen e Kosovës. Presidenti i Kosovës po lobon për ndarje të Kosovës. Këtu është problemi dhe nuk do të ketë asnjë njohje deri sa është kjo situatë. Kush e mban përgjegjësinë, përgjegjësinë e mban ky president, ministri i Punëve të Jashtme, dhe Kryeministri. Që të tre duhet të japin dorëheqje”, thotë deputetja Pacolli.