Gjykata Speciale do të ngrejë aktakuzë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

Views: 641
Avantgardia

Një zyrtar i lartë i Tribunalit Special i ka thënë Gazetës Express se aktakuzat e para do të ngrihen për vrasjet e shqiptarëve pas luftës. Sipas këtij burimi, Gjykata Speciale mund të quhet “shteti në gjyq” sepse me materialin që ka, do të akuzohen edhe presidenti Thaçi e Kadri Veseli. Gjykata ka siguruar shumë dëshmitarë dhe prova në të cilat i bazon akuzat

Deri më tash, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka intervistuar rreth 100 persona, në cilësinë e të dyshuarve dhe të dëshmitarëve, ndërsa kjo zyrë planifikon t’i intervistojë edhe 300 të tjerë përpara se të bëjë gati aktakuzat e para.

Një burim shumë i lartë brenda Tribunalit Special  i ka thënë Gazetës Express se në listën e të dyshuarve janë edhe Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Gjatë një bisede të zhvilluar në një nga vendet e BE’së, ky burim, që nuk ka dashur të identifikohet, ka thënë se aktakuzat e para ngrihen për vrasjet e pasluftës ndaj shqiptarëve.

 “Aktakuzat e para do të jenë për vrasjet e pasluftës, për krime ndaj shqiptareve”.

Ai thotë se krerët shtetërorë do të jenë të akuzuarit e Speciales dhe për këtë, Gjykata ka mbledhur dëshmitarë, videoincizime e prova të tjera.

“Nga ajo çfarë sot posedon prokuroria do te ketë aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit, Rexhep Selimit, Daut Haradinajt, Sami Lushtakut, Azem Syles, e shumë figurave të tjera të luftës”, ka thënë tutje burimi.

Sipas këtij zyrtari, nga puna e deritanishme e Tribunalit, kanë parë se “Krerët kryesore te UCK’së po frikësohen nga njëri-tjetri”.

Ai tregon se aktakuzat ngrihen vetëm pasi të kompletohet mozaiku, por edhe që Tribunali është në dijeni për personat që janë munduar ta pengojnë drejtësinë, e kjo mund të sjell befasi gjatë javëve në vijim. /Express/