Po vazhdon keqmenaxhimi me parane publike në Ferizaj

Views: 747
Avantgardia

Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Ferizaj shprehim shqetësimet tona dhe të qytetarëve derisa ekzekutivi i komunës së Ferizaj i udhëhequr nga Agim Aliu po vazhdon ta keqpërdorë paranë publike dhe njëkohësisht po vazhdon të abuzoi, madje në mënyrë të kundërligjshme me punësime të ndryshme nëpër ndërmarrje publike.

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj asnjëherë nuk e akuzon komunën nga këndi kritik opozitar, prandaj të gjitha shkeljet e deritanishme të qeverisjes së PDK-së janë të argumentuara në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës. Pra, ndërmarrja publike K.R.U. “Bifurkacioni” përveçse po përballej me kriza financiare pasi që është stërngarkuar me punësime të militantëve dhe familjarëve të qeverisjes lokale, gjatë periudhës së fundit kohore janë bërë një varg shkeljesh të ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Veprimet e tilla të kundërligjshme me çështjen e punësimeve janë goditje dërrmuese për shpresën dhe aspiratat e qytetarëve për një komunë të drejtë dhe mundësi të barabarta. LDK-ja gjatë kohës së fundit ka vërtetuar se ish kandidati për këshilltar komunal nga radhët e PDK-së, fillimisht është zgjedhur kryesues i bordit në K.R.U. “Bifurkacioni” në Ferizaj, pastaj nga kjo pozitë në mënyrë të kundërligjshme ka kaluar në pozitën si zyrtar Financiar po në këtë kompani.

Prandaj me këtë rast është bërë një shkelje e dyfishtë derisa kjo lëvizje është në kundërshtim me Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, më saktësisht Neni 21 Zgjedhja dhe Emërimi i Zyrtarëve të NP Neni 17. Pastaj është bërë shkelje edhe në nenin 17.2, pikat (d), (f), (j), (k) dhe (l) dhe (iii) i këtij ligji. Po ashtu për punësimin dhe lëvizjet me këtë pozitë është bërë shkelje e pikës d) e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, i cili qartëson se nuk mund të jetë aksionar, drejtor, zyrtar ose punonjës i lartë në një shoqëri tregtare ose person tjetër juridik i cili ka marrëdhënie materiale afariste me NP-në përkatëse ose cilëndo nga filialet e saj. Po ashtu F) e këtij ligji thotë se pozita e tillë nuk mund të mban drejtorësi të ndërsjellë ose ka lidhje të konsiderueshme me drejtorët e tjerë të NP-së përkatëse përmes përfshirjes në shoqëri tjera tregtare ose organe. Po ashtu në këtë rast është shkelur edhe pika K) e këtij ligji i cili qartëson se pozita e tillë nuk ka të drejtë gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit me qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.

Prandaj sipas ligjit çfarëdo konflikti të interesave që për nga natyra, do të shkaktonte që ky person të mos jetë në gjendje që në mënyrë rutinore, me besnikëri, në mënyrë të pavarur dhe objektive t’i përmbushë detyrat e tij fiduciare ndaj Aksionarëve dhe NP-së. Prandaj Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj edhe një herë i bëjmë thirrje institucioneve komunale që të ndërmarrin masa të menjëhershme në parandalimin e punësimeve të paligjshme e diskriminuese në kompaninë K.R.U. “BIFURKACIONI” dhe njëkohësisht kërkojmë nga organet kompetente ta hetojnë këtë rast. Gjithashtu kërkojmë që në këtë rast të ndëshkohen individët e caktuar të cilët me dijeni të plotë po bëjnë shkelje ligjore gjatë procedurave të punësimeve.

Pra, si asnjëherë më parë, kjo kompani po stërmbushej me punësime të jashtëligjshme të cilat po e bllokojnë konkurrencën e lirë në konkurse publike. Gëzim Kokollari, Asambleist i LDK-së