Sheshet e Prishtinës të mbushura me qytetarë për të nderuar Clinton dhe Albright

Views: 177
donita

Ashtu siç dolën 20 vite më parë për të pritur forcat e armatosura të NATO-së që po hynin në Kosovë për ta çliruar Kosovën, edhe sot 20 vite pas qytetarë të shumtë kanë dal në sheshet kryesore të Prishtinës për të festuar dekadën e dytë të çlirimit të vendit.

Qytetarët kishin edhe një arsye për të dal në sheshe.

Dëshironin të shihnin nga afër ishh presidentin amerikan Bill Clinton dhe ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, dy personalitete që ndihmuan lirinë e Kosovës.

Përkundër temperaturave të larta të moshuar e të rinj ishin në sheshet e kryeqytetit për të përcjell ceremoninë kryesore, dhe me të përfunduar himni i Kosovës të gjithë qytetarët e pranishëm kanë duartrokitur duke shprehur kështu falënderimin e tyre ndaj ish presidentit Bill Clinton dhe ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright.

Shumë prej tyre mbanin në duar flamurin kombëtar e shumë të tjerë flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Disa fëmijë kishin veshur edhe rroba që ngjanin me uniformën e ushtrisë.

Në ceremoni kishte edhe shumë qytetarë të Kosovës që kanë ardhur edhe nga diaspora e rajoni për të ndarë gëzimin e kësaj dite.

Nga Gjermania për të festuar sot kishte ardhur Fata Mehmeti e cila tha se sot krahas gëzimit për këtë ditë ajo po ndihet shumë krenare që në këtë manifestim kanë ardhur edhe Clinton dhe Albright.

“Shumë jam e lumtur i uroj Kosovës dhe të gjithëve pavarësinë dhe tash e pas krijimin e bashkimit kombëtar…Ndihem shumë krenare që kanë ardhur me na respektua dhe besoj që kemi sot një gëzim të madh presim diçka më tepër”, tha Mehmeti.