Rita Ora të dielën shfaq dokumentarin për Kosovën

Rita Ora, e cila para pak kohësh qëndroi në Kosovë si Ambasadore e UNICEF-it dhe ku vizitoi fëmijë e familje në nevojë, ka bërë me dije se do të shfaq këtë fundjavë dokumentarin e realizuar nga kjo vizitë në vendlindjen e saj.

Në një bisedë për “Mailonline”, Rita ka folur edhe njëherë për vizitën e saj të fundit në Kosovë, ku ka thënë se ky udhëtim kishte shumë rëndësi për të.

“Takimi me fëmijë dhe familje në vendin ku kam lindur ishte shumë i veçantë dhe të shoh me sytë e mi punën që bën UNICEF-i për t’i mbështetur ata më ka bërë më të përkushtuar se kurrë që të shfrytëzoj pozitën time për të mbështetur dhe për të bërë fushata”.

“Familja ime iku nga Kosova për shkak të konfliktit në kërkim të sigurisë dhe mundësive më të mira për të ardhmen. Sot, është mrekulli të shohësh Kosovën në paqe dhe fëmijët kanë qasje më të mirë në shëndetësi dhe edukim më të mirë”, tha Rita Ora, transmeton Koha.net.

Udhëtimi emocional i këngëtares me takimet me këto familje do të dokumentohet në një film i cili do të shfaqet në ngjarjen “Soccer Aid for Unicef” në ITV këtë të diel.

Rita ka treguar për takimin e saj me një adoleshente babai i së cilës kishte vdekur kur ajo ishte fëmijë, para se nëna e saj të diagnostikohej me kancer.