Ahmeti: Dalladaku s’ka kontratë për shfrytëzim të spitalit, aty të bëhet Spitali i Prishtinës

Views: 182
donita

ryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dhënë sqarime lidhur me “spitalin Dalladaku” që u rikthye si temë në publik pas publikimit të disa videove nga “afera e fajdeve”, ku akterët kryesorë tentonin mashtrim për të marrë lejen për ndërtimin e spitalit.

Në Puls të KTV-së, Ahmeti ka thënë se dikush në komunën e Prishtinës i kishte dhënë lejen për shfrytëzim të tokës së komunës Dalladakut që të ndërtojë spitalin. Ai ka thënë se kontrata ishte 10 vjet plus 10 të tjera, por se ai nuk i ka vazhduar kontratën dhe se tash toka është pa kontratë.

“Dikush në Komunë, ato ekzistojnë, ia ka dhënë në shfrytëzim tokën e komunës, zotit Dalladaku, për të ndërtuar spitalin, që në kontratë e ka emrin, Qendra Kardiale e Kosovës. Në kthim, Komuna e Prishtinës ka pas me i bë nga dy operacione falas në muaj. Kontrata ishte 10 plus 10 për tokë, jo për ndërtesë. Ka skaduar 10-shi. Kontrata shkruan që automatikisht ripërtërihet edhe për 10 vjet tjera. E kam dërguar një pyetje për AUK-un njëherë, që ka pas njëjtë rastin, nëse ligji e ndryshon më 2013, a vazhdon automatikisht plus dhjetë të tjerë, e ministria më ka thënë jo dhe se duhesh me e qite në konkurrencë. Kontratën s’ia kemi vazhduar. Ajo ishte 10 vjet nga momenti i parë. Toka tash është pa kontratë. S’ia vazhdoj. Në tokën tonë e ka një objekt që s’është i joni. Mundemi të kërkojmë të na lirohet toka, por çka t’i bëjmë objektit. Nëse vendos të shpronësojmë, kosto e ndërtimit ka qenë rreth pesë milionë euro”, ka thënë Ahmeti.

Sipas Ahmetit, po të pyetej ai, tash aty do të niste funksionimin Spitali i Prishtinës.

“Po të pyetesha unë, me një gur tre-katër zogj kishin rënë. Po që se do të ndërtohej spitali i Prishtinës, unë do të isha i pari që do ta nënshkruaja. Ne e kemi veç çështjen e tokës, por duhet diskutuar kush i dha leje spitalit. Ne s’japim leje. Pse po funksionon brenda QKUK-së? Më 2014 kam shkuar në prokurori ju kam thënë këqyreni se qenka një dallaver shumë i madh. Për tri ditë kam marrë përgjigje nga Prokuroria, në afat rekord, më thanë kjo është e parashkruar. ‘Krejt krimet që kanë ndodhur me këtë lëndë janë të vjetruara e më mos u merr me këtë punë’”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se sapo të marrë këshillën ligjore do të kërkojë nga ministri i Shëndetësisë të shpronësohet ky objekt e të bëhet spital i kryeqytetit.

“S’ka vend më të mirë. Ka shumë opsione, por ndoshta po them ka probleme tjera ligjore. Por toka është e jona, ka skaduar 10-vjeçari, e s’ia kemi vazhduar. Kanë ardhur nga Spitali Amerikan sepse donin ta blinin, por u kemi thënë nuk transferohet shfrytëzimi. Përpos që s’na është paguar asnjë cent, asnjë pacient nuk është operuar falas”, ka deklaruar më tej ai.