Ministria e Frizerkave – Besim Beqaj kishte dhënë subvencion edhe për një sallon ondulimi

Financimi i një salloni për rregullimin e flokëve e fytyrës do të mbahet mend si një ndër inovacionet e Besim Beqajt sa ishte ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Kosovës.

Salloni i Ondulimit “Hira”, në Fushë Kosovë, mbanë në derë logon e Ministrisë Inovacionit si përkrahëse për zhvillimin e biznesit, shkruan Gazeta IK

Nga mbi 4 milionë euro sa kishte në dispozicion ministria e re, e cila në vitin 2017 u krijua me idenë që Kosova të jetë në hap me kohën me zhvillimet e inovacionit nëpër botë dhe ta përdorë atë për krijimin e vendeve të reja të punës, një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave, auditori i përgjithshëm ka gjetur se kanë shkuar për biznese aspak inovative.

Sipas auditorit, me subvencionet janë bërë shkeljet më të mëdha në këtë ministri.

Nga paratë që do të duhej tu ndaheshin për bizneset e reja, apo që njihen si Start Up, kanë përfituar biznese që funksionojnë qe 15 vjet.

“Nga mostrat e testuara për përfituesit nga thirrja për Start Up, kemi vërejtur se në tri raste, përfitues ishin bizneset ekzistuese aktive dy prej të cilave që nga vitet 2004 dhe 2005. Dy nga këta përfitues ishin përzgjedhur nga thirrja për Start Up edhe pse nuk i plotësonin kriteret sepse aplikacionet e tyre kishin të bënin me thirrjen për subvencionim të NVM dhe OJQ”, theksohet në raport.

Aty shihet se ministria ka ndarë subvencion edhe për një shoqatë të bletarëve.

Për të janë ndarë plot 14 mijë e 900 euro, përderisa 14 mijë e 940 euro janë dhënë edhe për një shoqatë me emrin “Human Care”.

Sipas asaj që shkruhet në raportin e auditimit për vitin 2018, këto OJQ nuk kishin plotësuar kriteret e thirrjes, pasi programi i punës së tyre nuk ishte i fokusuar në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Po ashtu, sipas auditorit thuhet se projektet për të cilat kishin aplikuar, nuk ishin në përputhje me objektivat dhe aktivitetet e caktuara për financim të vendosura në thirrje.

“Fushë veprimtaritë dhe projektet kishin të bënin me edukimin shëndetësor dhe ngritja e nivelit profesional në fushën e shëndetësisë, sigurimi i shërbimeve humanitare, trajnimet lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe dhënien e këshillave ndaj bletarëve”, thuhet në raport.

Shkelje edhe te 200 mijë eurot për Kryqin e Kuq

Auditori shkelje ka vërejtur edhe tek ndarja e 200 mijë eurove për Kryqin e Kuq të Kosovës.

Për t’i fituar këto 200 mijë euro, Kryqi i Kuq është dashur që t’i siguronte tri referenca për projekte të rëndësishme, mirëpo sipas auditorit kjo organizatë nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i pa kujdesisë së komisionit të vlerësimit, për t`i vlerësuar aplikacionet e OJQ-ve në pajtim me kërkesat e udhëzuesit”, theksohet në raportin që ka analizuar detajisht punën e ministrisë në vitin 2018.

Subvencione u dhanë edhe për frizerka

E përveç këtyre, Gazeta IK ka siguruar disa fotografi të një salloni të ondulimit me emrin “HIRA”, i cili në lokal kishte të vendosur shenjën me të cilën tregonte se ka marrë subvencion nga Ministria e Inovacionit dhe e Ndërmarrësisë.

Gazeta inFokus ka kërkuar përgjigje nga ministria për këtë çështje, megjithatë pas disa javësh pritje përgjigja që ka marrë është që të tregohet me emër e mbiemër pronari i këtij Salloni Ondulimi, për shkak se në të kundërtën ministria e ka të vështirë ta gjej se kush është.

Fotografitë e këtij salloni janë bërë në Fushë Kosovë, përderisa në kërkimet në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve nuk del asnjë biznes i regjistruar me këtë emër.