“Gjermania nuk po i kërkon 60 mijë infermierë kosovarë”

Views: 171
donita

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka thënë se Deklarata e sotme e nënshkruar mes Kosovës e Gjermanisë për bashkëpunim në Shëndetësi, është lajm pozitiv për vendin.

Bardiqi theksoi në Info Magazine të Klan Kosovës se kësaj deklarate bashkëpunimi i kanë paraprirë takimet e mëparshme të Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismailit, me atë të Gjermanisë, Jens Spahn.

”Kemi të bëjmë ekskluzivisht me një lajm të mirë për Kosovën”.

”Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili, ka pasur vitin e kaluar disa takime me Ministrin e Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, dhe kanë biseduar për cilat tema ka hapësirë bashkëpunimi mes të dyja vendeve”.

”Kësaj i ka paraprirë identifikimi i fushave në të cilat mund të bashkëpunohet. Është krijuar një deklaratë bashkëpunimi dhe tashmë është arritur kulminacioni i kësaj deklarate”.

”Dëgjova me vëmendje edhe Ministrin Jens Spahn, ai nuk tha se po i kërkojmë 60 mijë infermierë”.

”Fjala është se sektori i shëndetësisë në Gjermani ka nevojë për staf infermieror për një shifër diku 60 mijë. Nëse flitet për këtë shifër, Kosova është vend i vogël dhe nuk i ka ato kapacitete për t’i ofruar Gjermanisë”.

”Kësaj deklarate bashkëpunimi i kanë paraprirë takime të mëparshme. Gjermania është atraktive për punësim jo vetëm për stafin infermieror, por edhe sektoret tjera”.

”Nga kjo Deklaratë Bashkëpunimi flitet për një transferim të infermierëve në Gjermani. Kjo më tepër ka të bëjë me menazhimin e një procesi i cili është duke ndodhur”.

”Nuk është dëshirë e asnjë vendi që forcën punëtore t’ia ofrojë një vendi tjetër. Ne kemi investuar ndër vite për këtë program në mënyrë që të arrihet cilësia”.

Bardiqi ka pohuar se ky bashkëpunim nuk ka të bëjë me rekrutimin e punëtorëve shëndetësorë, njofton Klan Kosova.

”Nuk ka të bëjë me rekrutimin. Është historike për faktin se Kosova në sektorin e shëndetësisë nuk ka pasur asnjëherë një marrëveshje të tillë”.

”Gjatë 125 viteve shteti gjerman e ka reformuar në mënyrë të vazhdueshme sistemin shëndetësor duke ia përshtatur nevojave të veta. Ne jemi populli më i ri në Europë, përderisa populli gjerman konsiderohet si shteti i dytë më i vjetër në botë”.