Aksident i rëndë në Merdare, një i vdekur e tetë të lënduar

Një person ka ndërruar jetë dhe tetë të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në fshatin Merdare.

Rastin për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës. Florie Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se aksidenti mes dy veturave ka ndodhur rreth orës 02:00 pas mesnatës në rrugën Prishtinë – Podujevë, më saktësisht në fshatin Merdare.

E ndërkohë aksidentet tragjike po vazhdojnë të ndodhin në vendin tonë. Sot në Rahovec ka ditë zie pas aksidentit tragjik që ndodhi në fshatin Bernjak humbën jetën tre persona dhe tre të tjerë u lënduan rëndë.

Ndryshe, mbi 40 persona kanë gjetur vdekjen në rrugët e Kosovës për vetëm gjashtë muaj të vitit 2019.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) ka shprehur shqetësimin lidhur me numrin e lartë të aksidenteve në Kosovë, duke thënë se shkaku më i shpeshtë i tyre është faktori njeri.