Certifikohet gjenerata e parë e FSK-së me mandatin e ri ushtarak

Views: 46
Avantgardia
337 pjesëtarë, në mesin e tyre 52 femra, 22 prej komuniteteve pakicë e kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik 9 javor, dhe i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Rekrutët e rinj e kanë bërë betimin të premten, në një ceremoni të organizuar në Kazermën ‘Adem Jashari’ në Prishtinë.

Kjo është gjenerata e parë e rekrutëve që i bashkohen FSK-së pas mandatimit me misionin e ri.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama ka kërkuar nga pjesëtarët e rinj që kontribuojnë në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së me mandatin e ri, si ushtri e Kosovës.

“Jam i lumtur që ju jeni ata që keni dëshmuar që FSK-ja do të ketë nga radhët e veta djemtë dhe vajzat më të zot të vendit. Nga ju pritet të jeni të disiplinuar e të përkushtuar . FSK është forcë kredibile e multietnike, e gatshme të kontribuojë në paqe. Ka filluar tranzicioni sipas planin të bazuar me mandatin e ri për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Kërkoj nga të gjithë pjesëtarët që të punojnë në ngritjen dhe zhvillimin profesional në mënyrë që tranzicioni të kryhet me sukses”, tha Rama.