Ikjet e kosovarëve mbahen të fshehta, vendi po zbrazet

Edhe gjatë këtij viti vlerësohet se qytetarë të shumtë kanë lëshuar Kosovën, duke kërkuar një jetë më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Derisa numri i atyre që po ikin jashtë vendit vlerësohet të jetë i madh, në Kosovë nuk ka ndonjë statistikë të saktë për këtë numër.

Kosova po vazhdon të zbrazet edhe më tej nga qytetarët e saj, të cilët po kërkojnë një jetë më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Derisa viteve të kaluara ka pasur ikje masive nga vendi, vlerësohet se trendi i ikjeve është i njëjtë edhe gjatë këtij viti, por që tashmë këto ikje po mbahen të fshehta, shkruan ‘Zëri’.

Sipas Zyrës së Statistikave Evropiane (EUROSTAT), që nga viti 2008 e deri në vitin 2018 rreth 203 mijë e 330 qytetarë kanë ikur nga Kosova dhe shumë prej tyre kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian.

Ia vlen të ceket se këtyre të dhënave nuk u është shtuar numri i qytetarëve të Kosovës që kanë migruar në BE përmes rrugëve tjera ligjore.