Çka pas ditës “D”

Sot mund të jetë seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës për këtë legjislaturë pasi deputetët, në seancën që fillon prej orës 10:00, pritet të votojnë pro shpërndarjes së këtij institucioni.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për shpërndarjen e Kuvendit duhet të votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, me mbi 80 vota.

93 deputetë që nënshkruan për thirrjen e kësaj seance, duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë atë që kanë nënshkruar, ndërsa pro shpërndarjes duhet të votojnë së paku 2/3 e deputetëve ose 80 vota, e cila e përcakton edhe kuorumin.

Dy opsione do të ndodhin nëse nuk shpërndahet Kuvendi.

Në rastin e parë nëse ka mungesë të kuorumit qoftë fizik ose në votim, zakonisht hidhet dy ose tre herë me radhë në votim dhe nëse nuk kalon herën e parë tentohet të kalohet prapë pika e rendit të ditës.

Në rastin e dytë, nëse votohet dhe janë më pak se 80 vota nga ana e deputetëve, atëherë sipas Kushtetutës në afat prej 60 ditës nëse nuk arrihet të formohet qeveria pasi Presidenti ka tentuar të mandatojë dikë tjetër atëherë në mënyrë automatike shpërndahet Kuvendit dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Nëse votohet pro shpërndarjes së Kuvendit në seancën e sotme, maksimumi 45 ditë pas kësaj duhet të mbahen zgjedhjet.

Ndryshe, subjektet politike kanë shprehur publikisht qëndrimin e tyre për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.

Datat e përfolura për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme janë e diela e 29 shtatorit ose ajo e 6 tetorit.

KQZ-ja ditën e djeshme ka pasur një takim me presidentin Hashim Thaçi, i cili pritet që pas seancës së sotme të dekretojë datën e zgjedhjeve të parakohshme e që sipas të gjitha gjasave do të jenë dy nga datat e përfolura.