Frizeri 65-vjeçar thotë se tash punon edhe me gra për të mos iu bërë ”bajat“ profesioni

Ka filluar të punojë profesionin e frizerit që në moshën 10 vjeçare, dhe dashuria për të e ka shtyrë të mos ndalet asnjëherë.

Kur ka filluar kanë qenë vetëm tre të tillë në lagjen e Ulpianës.

Është ky 65 vjecari nga Prishtina, Rexhep Ciriku, i cili ka mbi 40 vite që punon në këtë lokal dhe ka thënë se vazhdon të punojë çdo ditë si në fillimit e tij.

“Jam frizer që 52 vite. Kam filluar të punojë qysh prej moshës 10 vjeçare dhe që nga ajo kohë nuk kam pushuar as të dielave në këtë profesion. Në Ulpianë kemi qenë vetëm tre frizera. Në këtë lokal jam që 40 vite dhe nuk jam ndalur. Punojë nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes”, tregon për RTV Dukagjinin, Rexhep Ciriku.

Pasioni që ka për punën bën që Ciriku të punojë akoma dhe pa u ndalur. Ai thotë se kur punon punën që don dhe e bën atë me vullnet atëherë gjithmonë arrin sukses.

“Nuk është profesion i vështirë nëse punon me pasion. Nëse e do profesionin nuk është asgjë, ndërsa kur punon për para është diçka tjetër. Mua më kanë mbajtur klientët. Ata ta mbajnë të hapur lokalin, e ata janë që ta mbyllin”, tregon më tej Rexhep Ciriku.

Ka filluar si frizer për meshkuj, mirëpo me kalimin e kohës, ka punuar edhe me femra.

Rexhepi tregon me nostagji si ka qenë në kohën kur ai e ka nis punën në këtë lokal.

“Kam punuar me meshkuj në fillimin e zanatit. Pas një kohe më është mërzitur me meshkuj dhe kam filluar të punojë edhe me femra që të mos më bëhet bajat. Në atë kohë kam pasur rreth 70 klientë, por më pas kanë rënë klientët edhe për shkak të moshës. Jam prapë i kënaqur, por më herët kam pasur punë më shumë, sidomos para luftës”, tha më tej Rexhep Ciriku.

“Unë do të vazhdoj të ushtroj këtë profesion deri në moshën 80 vjeçare”, ka thënë duke buzëqeshur Rexhep Ciriku, i cili ka thënë se nuk është lodhur aspak nga ky zanat