Agim Aliu kërkon heqjen e karantinës

Views: 597
Avantgardia

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka kërkuar heqjen e karantinës.

Sipas tij, koha e kufizuar prej 90 minutash për lëvizje të qytetarëve është në vetvete karantinë.

“Karantinën si kryetar i Komunës kam kërkuar që të hiqet. Kam biseduar me ministrin Vitia që të hiqet karantina për faktin se po na harxhon shumë resurse policore dhe pastaj policia po e ka të vështirë menaxhimin e situatave të caktuara të tjera policore”, tha ai për KALLXO.com.

Aliu në një bisedë për KALLXO.com ka treguar për gjendje e 81 personave të infektuar me COVID-19 në këtë komunë.

“Nga 81 persona, 76 janë punëtorë që kanë qenë në kampin Bondsteel dhe familjarët e tyre, 3 raste janë të ndërlidhura me fshatin Topanicë të komunës së Kamenicës, një rast ka qenë në karantinë nga diaspora që tashmë është edhe i shëruar, dhe një rast tjetër por që fatmirësisht familjarët kanë dalur negativ”, ka thënë ai,

Aliu për KALLXO.com ka thënë se pavarësisht që 4 pacientë janë të shtrirë në Klinikën Infektive gjendja e të gjithë të infektuarve është stabile.

“4 pacientë janë në Klinikën Infektive. Unë sot personalisht kam komunikuar me njërin prej tyre i cili është së bashku me të bijën e tij, gjendjen e kanë të mirë. Por edhe pas komunikimit me kryefamiljarët gjendja e të gjithëve është e mirë, stabile pa ndonjë shqetësim serioz dhe shumë prej tyre madje nuk kanë edhe ndonjë simptoma të caktuar, 74 pacientët që janë në shtëpitë e tyre”, ka thënë tutje ai.

Aliu ka treguar edhe për masat që i kanë marrë për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të COVID-19.

“Tashmë kemi vazhdu me masat e dezinfektimit, kemi marrë vendim që çdo shërbim të bëhet përmes mjeteve mbrojtëse. Mandej janë edhe masat e Qeverisë, është edhe karantina”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse, Aliu tha se nuk kanë asnjë mungesë.

“Ne para se me marrë kontingjentin nga Ministria e Shëndetësisë kemi zhvillu procedura të cilat, kemi përzgjedh operator  edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare është e pajisur me masa mbrojtëse, së fundi na është miratuar një kontingjent nga Ministria e Shëndetësisë edhe sa i përket kësaj çështje ka masa të mjaftueshme, për këtë e falënderoj ministrin Vitia për mbështetje”, ka thënë ai.

Komuna e Ferizajt është komuna më e prekur nga coronavirusi në Kosovë me 81 raste.

Ndërsa në nivel të vendit janë 510 raste, janë shëruar 93 si dhe kanë vdekur 12.