Në mesin e të infektuarve me Covid-19 edhe një mjek ferizajas

Views: 2556
Avantgardia

Gjatë ditës së djeshme në komunën e Ferizajt janë konfirmuar edhe 3 raste të reja me koronavirus duke e quar kështu numrin e të infektuarve në këtë komunë në 93.
E, në mesin e tre të infektuarve nga Ferizaj është edhe një mjek.
Drejtori i Spitalit të Ferizajt Jeton Zeqiri, thotë se nuk kanë paraparë masa për vetizolim të stafit mjekësor.

“Doktori ka punuar në formë të thirrjeve, nuk ka qenë doktor që ka qenë i angazhuar çdo ditë me orar në Spitalin e Ferizajt, dje në qytetin tonë janë testuar 12 mostra, 2 kanë qenë në kontakt me punëtorët e “Bondsteel”-it dhe i treti ka qenë ky doktor i cili në Spital të Ferizajt ka punuar por me masa mbrojtëse, kështu që sa i përket mënyrës së shpërndarjes apo kontaktit ka qenë me masa të parapara dhe ne nuk parashikojmë ndonjë masë për vetëizolim të stafit përcjellës. Doktori me 6 prill ka qenë prezent në Spital ku personi i cili ka pasur Covid-19 ka vdekur më pas në QKUK, por nuk ka pasur kontakt direkt me pacientin dhe për këtë nuk ka qenë i testuar më parë, por dje me rekomandim të Institutit është testuar dhe ka rezultuar pozitiv”,tha Zeqiri.


Zeqiri tha se sot kanë bërë dezinfektimin e hapësirave të Spitalit.


“Ne si Spital për shkaqe sigurie kemi bërë sot dezinfektimin e hapësirës së Spitalit, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është duke u marrë me kontaktet që ka pasur doktori kur ka përfunduar punën në Spital”, tha Zeqiri.

Mjeku i prekur nga Covid-19 punon edhe në një ordinancë private në Ferizaj.