“Parashikimi” i Ramush Tahirit: Vendimi nga Gjykata Kushtetuese nuk mund të merret assesi ndryshe, përveç që me i dhënë të drejtë presidentit

Views: 360
Avantgardia

Dekreti i presidentit, Hashim Thaçi, për kandidatin për kryeministër të ri të Kosovës, tashmë disa ditë në pezullim, po pret përgjigjen përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas politologut Ramush Tahiri, vendim ndryshe nga Kushtetuesja se ai që i jep të drejtë presidentit në këtë rast nuk do të ketë.

Tahiri për GazetaBlic ka theksuar se as për partinë e cila ishte parashtruese e kërkesës për shqyrtim, Vetëvendosje, nuk do të ishte në favor një vendim tjetër, i cili do të mund të çonte në bllokim të sistemit parlamentar.

“Vendimi nuk mund të merret assesi ndryshe përveç që me i dhënë të drejtë presidentit që me e caktu mandatarin dhe mos me i dhënë të drejtë VV-së që qeveria mos me u kriju pa partinë e parë. Kjo sepse edhe VV nuk do ishte e kënaqur sikur të jepej vendimi për të sepse ky do të ishte një vendim pa paprecedentë që do merrej vetëm këtë herë por do bëhej rrugë edhe për të tjera. VV si parti parlamentare nuk e ka në interesin e saj që gjithmonë partia e parë me e bë qeverinë dhe gjithmonë qeveria e parë me e fitu shumicën parlamentare, sepse VV në këto zgjedhje ka dalë e para, në zgjedhjet e tjera nuk ka qenë e para. Nuk mundemi me paramendu që partitë tjera tash, ta zëmë PDK ose LDK me e blloku gjithë sistemin parlamentar, sepse parlamenti është ai që e zgjedhë qeverinë”, tha ai.

Nëse një gjë e tillë ndodhë, Tahiri shton se Kosova do të jetë e vetmja në botë që do të bllokohet politikisht.

“Si politolog po më duket e pakuptueshme ky koncepti i VV-së sepse nëse e merr një vendim të tillë gjykata, ne do të ishim vendi i vetëm në botë që bllokohemi, se krijohen koalicionet vetëm me i marrë zgjedhjet, nuk është me rëndësi çfarë koalicioni, si u krijua atëherë VLAN-i për me dalë partia e parë dhe prishet koncepti i garave. Koncepti demokratik është që gara mbahet me pa kush po del e para e kush e dyta”, tha Tahiri, raporton GazetaBlic.

Duke komentuar reagimin e ministres së Drejtësisë në media, Albulena Haxhiu, se nuk mund të përgjigjej se a do ta respektojnë vendimin e Kushtetueses,  ai thotë se nuk ka mënyrë tjetër që i ikë respektimit të vendimeve të Gjykatës.

Veprimet e tilla si protesta, Tahiri i quan anarki të rrugës dhe antiligjore.

“Po shoh Albulena Haxhiu e të tjerë që po thonë nuk e dijmë a e respektojmë apo jo. Nuk ka metodë që mos me e respektu, legale. Demonstrata, rrëzimi me dhunë, pa dhunë askujt nuk i ndalet. E kemi pasë rastin e gazit lotsjellës. Këtë mund ta bëjnë prapë, por kjo nuk është demokraci e rrugës, kjo është anarki e rrugës dhe antiligjore e antikushtetuese por si veprim secili i mban përgjegjësitë vet”, shtoi ai.

Derisa po pritet që në 29 maj Gjykata Kushtetuese të dalë me vendim, Tahiri ka thënë se kjo mund të ndodhë edhe më herët.

 “Gjykata pritet të marr vendimin sa më shpejtë, varet prej punëve që i procedon, por vendimi mund të merret edhe para datës legalisht, 29 maj. Sigurisht që nuk kalon 15 qershori pa u marrë vendimi”, përfundoi Tahiri.

Ndërkohë, nga Lëvizja Vetëvendosje po kërkojnë zgjedhje të reja menjëherë pas përfundimit të pandemisë, për faktin që sipas tyre nuk mund të ketë Qeveri të re, pa fituesin e zgjedhjeve.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masën e pezullimit, ndaj vendimit të presidentit që ta mandatoj kandidatin e partisë së dytë për kryeministër/