Publikohen dokumentet: Agon Musliu kishte kërkuar psikolog në ditën kur vdiq

Views: 732
Avantgardia

Pas humbjes tragjike të jetës së 26 vjeçarit nga Gjilani, Agon Musliu, i cili u raportua se ishte hedhur nga konviktet në Prishtinë ku po qëndronte në karantinë, tani janë bërë publike dokumentet, gjegjësisht kërkesat që i janë drejtuar Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Me datë 1 maj është dërguar letra e parë me kërkesë që t’i lëshohet leja e qarkullimit babait të të ndjerit, i cili siç pretendon QOE Gjilan, kishte reklamuar dokumente që Agoni ishte sëmurë nga mëlçia, njofton Klan Kosova.

Letra tjetër shpalos shkëmbimin e letrave në mes të dy Qendrave Operative, ku me datë 2 maj si kërkesë emergjente është që Agoni të kontrollohet urgjentisht nga neuropsikiatri sepse siç thuhet aty, ai ishte depresiv.

Kësaj kërkese i është përgjigjur Qendra Operative Emergjente pas disa minutash, duke i thënë se e kanë përcjellë kërkesën e tyre për angazhim të ekipeve mjekësore në Karantinën e Qendrës së Studentëve.

Ndërkohë, e kemi edhe një email, ku me datë 3 maj, përgjegjësi i karantinës, Valdet Hashani, ka bërë të ditur se pas vizitave mjekësore, katër pacientë kanë shfaqur shqetësime dhe kanë kërkuar konsulencë specialistike, e në mesin e tyre është edhe Agon Musliu, i cili sipas këtij dokumenti, kishte kërkuar psikolog ose psikiatër.