Rritja e numrit të rasteve me COVID-19, infektologu Sadiku: Mosrespektimi i masave, rrezikon sërish kthimin e virusit në shtator

Views: 264
Avantgardia

Pas dy javëve ku pati rënie të numrit të rasteve me COVID-19 , mbrëmë në Kosovë u konfirmuan 14 raste të reja, ndërsa u shëruan vetëm dy të infektuar.

E rritja e këtij numri, ngriti dyshimet se mund të ketë një valë të dytë të virusit në vendin tonë.

Infektologu Izet Sadiku në një prononcim për Telegrafin ka thënë se rritja e rasteve në dy ditët e fundit, tregon se ende nuk është fituar lufta me pandeminë COVID-19.

Ai ka theksuar se në rast se nuk respektohen këto masa, ekziston rreziku i kthimit të virusit prapë në shtatorë.

This image has an empty alt attribute; its file name is 38163111.jpg

“Nëse nuk respektohen masat e propozuara për ruajtjen e distancës dhe përdorimi i maskës dhe nëse kemi grumbullime të njerëzve ekziston rreziku për rritjen e numrit të rasteve të reja që do të ndikonte që masat e lirimit të propozuara nga MSH të bëhen të diskutueshme për fazat tjera. Ju e dini se të gjitha hulumtimet tashmë kanë paralajmëruar se ekziston rreziku i kthimit të virusit prapë në shtator , dhe deri sa të zbulohet një vaksinë efikase jemi të detyruar të jetojmë me virusin duke respektuar dhe zbatuar maksimalisht masat e propozuara nga IKSHP-ja”, ka thënë Sadiku.

Infektologu u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 duke mbajtur distancën dhe duke përdorur maskat, duke mos dalë pa nevojë dhe duke mos u grumbulluar në takime familjare ose të punës.

“Duhet kuptuar se bota do të jetë ndryshe pas COVID-19!”, tha Sadiku.

Deri më tani numri i personave të prekur me COVID-19 ka arritur në 884, të shëruar janë 655, ndërkaq 28 persona kanë humbur jetën.