Lajme

1 mijë e 916 persona pozitiv me COVID-19, Kosova renditet e pesta në rajon me numrin më të lartë të të infektuarve

Që nga 13 marsi i këtij viti, Kosova sikurse edhe shumë vende të tjera të botës është duke luftuar me pandeminë e coronavirusit.

Që nga rasti i parë i konfirmuar në vend me COVID-19, e deri më sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë kryer 20 mijë e 206 teste.

Nga ky numër i të testuarve, kanë rezultuar pozitiv 1916 persona apo 9.48% e të testuarve.

Pavarësisht numrit të lartë të të infektuarve, po ashtu kemi edhe numër të madh të personave të shëruar. Deri më tash janë shëruar 973 persona nga 1916 të infektuar, kurse kanë humbur jetën 34 të tjerë, shkruan Telegrafi.

Nga këto statistika në Kosovë janë 909 raste aktive. Duke marrë parasysh vendet e rajonit me numrin e të infektuarve, Kosova renditet e pesta.

E para me numrin më të lartë të të infektuarve është Serbia me 12 mijë e 616 të infektuar, Maqedonia e Veriut renditet e dyta me 4 mijë e 664, Bosnja e Hercegovina e treta me 3 mijë e 178, Kroacia e katërta me 2 mijë e 269, Kosova e pesta me 1 mijë e 916, Shqipëria e gjashta me 1 mijë e 788, e shtata në listë është Sllovenia me 1 mijë e 511 dhe e fundit në këtë listë është Mali i Zi i cili ka numrin më të ulët të të infektuarve 337 në total.

Burimi: Ministria e Shëndetësisë

Kujtojmë se mbrëmë u konfirmuan 83 raste të reja me coronavirus në Kosovë, ndërkaq ishin të shëruar edhe pesë persona.

Related Articles

Back to top button