Lajme

39 RASTE TË REJA ME KORONAVIRUS NË KOSOVË

Sot më 23 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 255 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e nëntë (39) raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e gjashtë (26) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: pesëmbëdhjetë (15) raste Katund i ri dhe njëmbëdhjetë (11) raste Pejë), nëntë (9) raste me vendbanim në Prizren, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Kërninë-Istog dhe Zveçan.

Numri i madh i rasteve të konfirmuara sot në Pejë janë si pasojë e pjesëmarrjes në një ceremonial mortor më 6 prill 2020, përkundër masave të ndalimit të grumbullimit në masë të qytetarëve. Si pasojë e këtij veprimi deri më tani janë diagnostikuar 36 raste pozitive me COVID-19.

Më datë 23 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një (1) rast i vdekjes, i gjinisë mashkull me moshë 53 vjeç me vendbanim në Prizren dhe i konfirmuar me COVID-19 me datë 10.04.2020. Pacienti është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datë 13.04.20 në gjendje të rënduar dhe në përkujdesje Intensive. Te i sëmuri gjatë ecurisë së sëmundjes janë zhvilluar ndërlikime si pasojë e COVID-19.

Sot më 23 prill 2020, janë shëruar edhe njëzet e një (21) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e pesëdhjetë e nëntë (159) raste.

Related Articles

Back to top button