Sport

Cuadrado kërkon falje pasi e krahasoi Rabiotin me ish-yllin e ndjerë të Juventusit

Juan Cuadrado ka kërkuar falje pasi që kishte bërë shaka me një koment në një postim në Instagram ku përkujtohej Andrea Fortunato, ish-futbollisti i Juventusit që vdiq nga leukemia para 25 vjetëve.

Fortunato, i cili kishte qenë një talent premtues, kishte vdekur qysh në moshën 23-vjeçare më 23 prill të vitit 1995, pasi ishte transferuar në Juventus nga Genoa dhe kishte debutuar edhe për Kombëtaren e Italisë, transmeton Gazeta Express.

Juventusi e publikoi një fotografi në llogarinë e vet zyrtare në Instagram për ta përkujtuar ish-futbollistin në përvjetorin e 25-të të vdekjes së tij.

Cuadrado komentoi në atë postim, duke e etiketuar bashkëlojtarin e tij Adrien Rabiot dhe duke shkruar “Rabiot, ti je ky”, duke iu referuar ngjashmërive në stilin e flokëve të atyre dyve.

Kolumbiani më vonë kërkoi falje, pasi e kuptoi gabimin që e kishte bërë.

“Unë po e shfrytëzoj këtë mundësi për t’u kërkuar falje të gjithë tifozëve të Juventusit për postimin në të cilin komentova”, tha Cuadrado.

“Unë vetëm e pashë fotografinë dhe nuk e lexova çfarë kishte ndodhur: Unë vetëm e shikova dhe mendova që e pashë Rabiotin. Më falni”.

Related Articles

Back to top button