Lajme

Hoti: Presim që sot të përmbyllen të gjitha marrëveshjet, AKR është pjesë e këtij koalicioni

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër të Qeverisë së re, Avdullah Hoti ka përsëritur se Aleanca Kosova e Re, e udhëhequr nga Behgjet Pacolli do të jetë pjesë e koalicionit për formimin e Qeverisë.

Hoti tha se është mjaft i kënaqur me marrëveshjen që kanë arritur me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa nga partitë e komuniteteve jo-shumicë.

“Unë jam i kënaqur me marrëveshjen të cilën e kemi bërë me AAK-në dhe me partitë e komuniteteve jo shumicë. Sa më parë që i përmbyllim menjëherë do të procedojmë. Kështu po presim që sot të mbyllim marrëveshjet e koalicionit. Nuk e di ku është saktë z.Pacolli, por AKR është pjesë e koalicionit”, tha Hoti.

Tutje, Hoti bëri të ditur se tashmë janë finalizuar një pjesë e madhe e bisedave me partnerët e koalicionit dhe se presin që sa më shpejt të arrijnë edhe marrëveshjet tjera.

“I kemi përmbyllur një pjesë të madhe të bisedave me partnerët e koalicionit, kemi përmbyllur marrëveshjen me AAK-në edhe më nje pjesë të madhe të komuniteteve jo-shumicë, po presim që edhe me partnerët e tjerë të përmbyllim marrëveshjet dhe presim që sa më shpejt të dalim para Kuvendit të Kosovës dhe të kërkojmë besimin për formimin e Qeverisë”, tha Hoti para medieve.

Ai deklaroi se në ditët e para, pas arritjes së koalicionit, do të plotësojnë programin e LDK-së me atë të partive tjera.

“Në javët e para, në ditët e para të Qeverisë do të bëjmë bashkë programet dhe do t’i paraqesim para jush. Programi i LDK-së është bazë dhe mandej do të plotësohet me programet e partive të tjera politike”, tha Hoti. 

Related Articles

Back to top button