Lajme

I infektuari nga Ferizaj përhapi virusin në Viti dhe Han të Elezit

Një person i cili vdiq ditë me parë nga coronavirusi e që ishte nga fshtati Sazli e Ferizajt ka përhapur coronavirusin edhe në dy komuna tjera.

Këtë e kanë konfirmuar kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe ai i Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka thënë që dy rastet e reja në këtë komunë janë raste kontakti me personin e vdekur nga coronavirusi në Ferzaj.

“Dy rastet e reja në Viti janë kontakt i personit që ka vdekur në fshatin Sazli të Ferizajt. I lus qytetarët të rrinë në shtëpi sepse virusi nuk njeh kufi administrativ”, tha ai në RTV Dukagjini.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit , Rufki Suma i cili shpjegoi se i infektuari me COVID-19 është rast kontakti me personin që ka vdekur ditë më parë nga fshati Sazli i Komunës së Ferizajt.

“Po ne u njoftuar nga IKSHP më saktë nga Naser Ramadani. Ai më tregoi që një banor i Hanit të Elezit ka dalë pozitiv ndërsa personi i prekur ka pasur kontakt me personin e ndjerë nga Sazlia e Komunës së Ferizajt”, tha Suma.

Ai shtoi se të dy kishin punuar në bashku në Bondsteel.

“I prekuri me coronavirus dhe viktima nga Ferizaj kanë punuar së bashku në Bondsteel me kamiona. Personi i infektuar në komunën tonë ka njoftuar policinë dhe QKMF-në se ka pasur kontakt me personin dhe se pastaj sipas udhëzimeve ka qëndruar në izolim në shtëpinë e tij. Unë bisedova me të më herët dhe i tregova se është i infektuar pasi që nuk e ka ditur dhe unë e udhëzova që të qëndroj prapë në izolim deri në këshillat tjera apo udhëzimet e reja nga ana e IKSHP-së”, tha Suma.

Deri më sot 250 raste janë regjistruar me coronavirus. Nga këto raste 52 janë shëruar dhe janë shënuar 7 viktima.

Kurse 3 prej rasteve të sotme janë familjar të të infektuarit nga fshati Sazli i Ferizajt ku ditë me parë ai ndërroi jetë pa e ditur se e kishte coronavirusin.

Related Articles

Back to top button