Lajme

Komuna e Shtimes po kërkon ndihmën e qytetarëve për fëmijët që s’mund ta ndjekin mësimin online

Komuna e Shtimes po iu kërkon qytetarëve të vet që të kontribuojnë për fëmijët të cilët nuk kanë mundësi t’i ndjekin mësimet online. Kjo për shkak se ata fëmijë nuk kanë pajisjet e duhura elektronike për ta ndjekur mësimin.

Përmes një njoftimi në Facebook, Komuna e Shtimes po kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të iu ndihmuar fëmijëve në nevojë.

“Këto ditë të pandemisë COVID -19, jemi dëshmitarë të asaj se me zbatimin e platformës për zhvillimin e mësimit online, kanë mbetur jashtë disa fëmijë të cilët nuk kanë mundësi për të pasur një telefon të mençur apo kompjuter që mësimin ta zhvillojnë me shokët dhe shoqet e tyre, si në ditët normale të jetës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim thuhet ser të gjithë personat që duan të kontribuojnë, këtë mund ta bëjnë duke i dërguar pajisjet elektronike në objektin e Komunës së Shtimes.

“Çdo dhurim i juaji do të evidentohet dhe emrat tuaj si dhurues do të publikohen në ueb faqen e Komunës së Shtimes dhe faqen e Komunës së Shtimes në facebook. Të gjithë ju që keni vullnetin dhe gatishmërinë të dhuroni, mund ta bëni atë në çdo kohë, 24/7, në objektin e Komunës së Shtimes, përkatësisht tek zyra e Qendrës Operative Emergjente të Shtimes”, thuhet në njoftim.

Related Articles

Back to top button