Lajme

LDK dorëzon kërkesën për seancë – të mërkurën në orën 11:00

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi e ka dorëzuar kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti për të mërkurën në orën 11:00.

“Pas marrjes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në emër të LDK-së dhe deputetëve nënshkrues kam dorëzuar kërkesën për seancë për ditën e mërkurë në orën 11:00 me një pikë të vetme të rendit të ditës – formimi i Qeverisë së Kosovës. Presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re”.

Ai ka thënë se janë njoftuar të gjithë partnerët e koalicionit, derisa ka thumbuar ish-partnerin e tyre qeverisës Vetëvendosjen, njofton Klan Kosova.

“Në mentalitetin tonë si parti është që para se të merren vendimet të njoftohen partnerët e koalicionit, jo nëpërmjet videomesazheve. Janë njoftuar të gjithë partnerët e koalicionit për seancën e cila do të mbahet të mërkurën në orën 11:00”.

“Përderisa kemi ftuar seancë për ditën e mërkurë normalisht që e kemi të garantuar formimin e qeverisë. Kërkesa e dorëzuar, para se të merrej masa e përkohshme e qeverisë, ka qenë e nënshkruar nga 61 deputetë. Presim që të jenë 64-65 deputetë që do të votojnë në përkrahje të formimit të kësaj qeverie”.

Gashi ka thënë se emrat e ministrave të LDK-së, që deri tani nuk janë konfirmuar zyrtarisht, do të dihen në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie e cila është ftuar për nesër.

“Nesër në ora 16:30 mblidhet kryesia e LDK-së dhe do të formalizohen emrat e ministrave të LDK-së”.

Related Articles

Back to top button