Lajme

Në pritje të letërnjoftimit

Në gjysmën e muajit gusht, A.N nga një fshat i Prizrenit (emër i njohur për redaksinë), kishte aplikuar për t’u pajisur me letërnjoftim të ri të Kosovës, pasi i kishte skaduar letërnjoftimi i vjetër.

Por, ai dhe shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, nuk kanë mundur të pajisen me këtë dokument për shkak të mungesës së materialit për të prodhuar letërnjoftim. Mungesë ka pasur në të gjitha komunat.

Kosova në vendin e 100-të për nga fuqia e pasaportës

Duke e pasur të domosdoshëm letërnjoftimin, ai u detyrua që dy muaj më vonë të aplikonte përsëri për t’u pajisur me këtë dokument. Por, këtë herë kishte aplikuar përmes procedurës së shpejt.

“Më 13 gusht kam aplikuar për letërnjoftim. Nuk ka dalë. Pastaj jam detyruar të aplikoj me procedurë të shpejt. Kur shkoja në qendër të regjistrimit, më thoshin nuk ka material. Jam detyruar të paguaj edhe 50 euro shtesë për të marr letërnjoftimin”, thotë ai.

Agon Hysaj nga Demokraci Plus, thotë se vonesat për t’u pajisur me letërnjoftime dhe pasaporta, po i shkaktojnë probleme qytetarëve.

Hysaj thotë se edhe pasaportat e skaduara nuk mund të vazhdohen dhe qytetarët rrjedhimisht nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.

“Ministria e Punëve të Brendshme është arsyetuar se nga rrethanat e krijuara si pasojë e pandemisë nuk ka arritur që t’i kryejë me kohë procedurat e prokurimit për këtë furnizim. Mirëpo ky nuk është një arsyetim i pranueshëm, pasi pandemia është edhe tani në mesin tonë dhe furnizimi me letërnjoftime dhe pasaporta është çështje shumë e ndjeshme dhe nuk munden qytetarët të penalizohen për faj të institucionit”, thotë Hysaj.

Related Articles

Back to top button