Lajme

Nëntë vite nga vdekja e Nekibe Kelmendit

Sot bëhen nëntë vite që kur u nda nga jeta, nënkryetarja e LDK-së, dhe deputetja Nekibe Kelmendi.

Kelmendi kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë, më 1968. Menjëherë pas mbarimit të studimeve, ushtroi detyrën e gjyqtares, kurse nga viti 1974 deri më 1976, ushtroi profesionin e avokatisë, duke u bërë kështu gruaja e parë avokate shqiptare.

Më pas, sërish ka punuar si gjyqtare deri në vitin 1987, kur u diferencua si edhe pjesa më e madhe e punonjësve shqiptarë nga ana e regjimit të Millosheviqit.

Ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe një nga funksionaret e larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas luftës, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor vitit 2001 ka qenë bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Kurse, përveç postit të deputetes, ajo ka qenë edhe ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Kelmendi ka marrë pjesë edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, si dhe në grupin e ekspertëve për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë, kurse vdiq më 19 qershor 2011, në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë. 

Related Articles

Back to top button