Lajme

Nesër seanca për Qeverinë Hoti, Gashi: Trajtimi i deputetit si votë e padinjitetshme

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca për votimin e Qeverisë Hoti do të mbahet nesër në orën 11:00, sipas kërkesës që është nënshkruar nga 61 deputetë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi nuk ka dashur të komentojë nëse ndonjë deputet i LDK-së nuk do të votojë pro Qeverisë Hoti duke thënë se secili deputet e ka të drejtën të votojë sipas vlerësimit personal.

“Mendoj se është e padinjitetshme që deputetët të konsiderohen si vota, gjithsecili deputet është personalitet në vete dhe duhet të respektohet si i tillë. Nesër gjithsecili deputet e ka mundësinë që të japë vlerësimin e vet përmes diskutimit në Kuvend dhe në fund edhe përmes votës. Trajtimi i deputetit si votë është e padinjitetshme”.

Ai po ashtu nuk e ka komentuar votën e mundshme ‘kundër’ të Haxhi Shalës nga Nisma Socialdemokrate, derisa është shprehur i bindur se Qeveria Hoti i ka votat e mjaftueshme.

“Pyeteni Fatmir Limajn për këtë çështje, sepse nuk është çështje e imja. Është çështje e brendshme e Nismës dhe nuk kam koment për këtë”.

Por, a do ta udhëheqë Vjosa Osmani seancën e nesërme ku pritet të votohet qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti?

“Nuk e di, është çështje procedurale. Vjosa Osmani është Kryetare e Kuvendit dhe vendos me autonominë e saj nëse do të udhëheqë një seancë ose jo”.

Gashi ka qenë shumë i rezervuar edhe kur është pyetur nëse pret ‘rezistencë’ nga Lëvizja Vetëvendosje, njofton Klan Kosova.

“Është e drejtë e tyre, po më duket e padrejtë dhe e pandershme që unë të paragjykoj dhe të gjykoj veprimet e mundshme të Lëvizjes Vetëvendosje. Mbetet në diskrecionin e tyre se si do të veprojnë”.

“Ky është një proces demokratik, legjitim dhe legal – për këtë jemi të bindur. Të tjerat janë çështje të taktikave dhe metodologjive që përdorin partitë për të krijuar opinion publik dhe për të imponuar vendimmarrjen politike”.

Related Articles

Back to top button