Shkarkohet kryeshefi i “Trepçës”, Basri Ibrahimi

Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në “Trepçë” ka shkarkuar kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje, Basri Ibrahimi.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Ibrahimi.
“Po, tash e mora edhe unë informatën. Fshesa vazhdon, shkarkimet politike vazhdojnë me direktiva të politikës”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka thënë se arsyet të cilat i janë thënë kanë të bëjnë me pagat e punëtorëve, të cilat janë vonuar në muajin e fundit.
“Arsyet që i kanë thënë kanë qenë për shkak të, gjoja si kam kry punët e mia si duhet dhe për shkak që si kanë marrë rrogat punëtoret, ju e dini që me çmimet që kanë ra në treg, ka qenë problem. Kërkesat politike nga ministria kanë qenë. Ne sot kemi pas me i marr subvencionet, që një javë janë tu më thirrë dhe sot kur ka pas me u egzekutu më në fund, ministrja, apo kabineti i saj, e ka kërku me u kthy prapa”, tha ai.
Në vendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuhet se një kërkesë për shkarkimin e Ibrahimit e kishte edhe këshilli organizativ i protestës.
