Lajme

Tahiri: Për marrëveshje gjithpërfshirëse, në dialog me Serbinë duhet të përfshihet edhe Presidenti

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se procesi i dialogut Kosovë-Serbi do të drejtohet nga ai, e jo nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ndërsa ky i fundit kishte deklaruar se atë do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitimë të qytetarëve, e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në lidhje me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend dhe analisti, Ramush Tahiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se dialogun teknik e udhëheq Qeveria e Kosovës. Ndërsa, siç tha ai presidentët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar pa agjendë të bisedimeve rreth dialogut.

Tahiri tha se Kosova duhet të bëjë marrëveshje me nota diplomatike, dhe jo marrëveshje gjithpërfshirëse në dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel.

Ai theksoi se nëse Kosova do të bëjë marrëveshje gjithpërfshirëse nuk mund ta përjashtoj askënd, e aq më pak përfshirjen e presidentit.

“Dialogu është kompleks dhe janë disa forma të dialogut. Dialogu teknik gjithmonë e ka udhëheq  qeveria. Në takimin mes presidentëve, s’ka pas asnjëherë bisedime për dialog. Mendoj që të gjitha bisedimet i ka udhëheq qeveria, asnjëherë në bisedime nuk kanë shkuar presidentët. Presidentët janë takuar pa agjendë të bisedimeve rreth dialogut”, ka thënë Tahiri, për Telegrafin.

Lidhur me atë se kush duhet t’i udhëheqë bisedimet e dialogut Kosovë-Serbi, Tahiri thotë se “Kosova ka bërë një strategji të bisedimeve dhe kryeministri Hoti ka thënë që ‘unë i udhëheq bisedimet’. Ndërsa në anën tjerë presidenti ka thënë se sa herë të më thërrasin unë shkoj… Të gjitha nënshkrimet janë bërë në emër të qeverisë”.

Tahiri po ashtu shtoi se Kosova duhet të bëj marrëveshje me nota diplomatike dhe të bëhet në nivel të qeverisë.

“Kosova duhet të bëjë marrëveshje me nota diplomatike, dhe kjo bëhet në nivel të qeverisë. Qeveria duhet të marr pjesë në dialogun Kosovë – Serbi. Është e nivelit qeveritar dhe jo presidencial. Por, nëse këta duan marrëveshje gjithëpërfshirësese s’mund ta përjashtojmë presidentin, pasi duhet të jenë të gjitha institucionet”, ka thënë ndër të tjera Ramush Tahiri.

Ndryshe, presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti kanë thënë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi, pritet të rifillojë shumë shpejt. 

Related Articles

Back to top button