Lajme

Vazhdimi e misionit ushtarak, dëshmi se nuk ka ndryshuar politika amerikane ndaj Kosovës

Autoritetet në Kosovë kanë mirëpritur nismën e Shteteve të Bashkuar të Amerikës për vazhdimin e misionit të ushtarëve amerikanë në Kosovë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe presidentin e përkohshëm të Senatit, Chuck Grassley, se forcat e Shteteve të Bashkuara do ta vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë.

Përmes një letre drejtuar këtyre dy zyrtarëve, Trump ka thënë se: “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë në forcat e KFOR-it, të udhëhequra nga NATO-ja, në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët bilateralë dhe institucionet ndërkombëtare, për të penguar ripërtëritjen e armiqësive në Kosovë”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se askush dhe asnjëherë nuk duhet që ta vë në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së për Kosovën. Sipas tij, qëndrim si ai që ushtarët amerikanë duhet të qëndrojnë në Kosovë, ka qenë i pritur.

“Natyrisht ka qenë një vendim i pritur i SHBA-së, sepse me prezencën e trupave amerikane ka paqe dhe stabilitet në Kosovë edhe në tërë Ballkanin Perëndimor, natyrisht të gjithë trupave të NATO-s”, tha Thaçi.

Thaçi i bëri këto komente pasi bëri homazhe pranë memorialit të ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë humbur jetën deri sa kanë qenë duke shërbyer në Kosovë.

Ai tha se Kosova do të jetë e përgjegjshme në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Thaçi theksoi se Kosova beson në administratën e SHBA-së, udhëhequr nga presidenti Donald Trump dhe në rolin aktiv të ambasadori Richard Grenellit.

Related Articles

Back to top button